Pas më shumë se dy javësh që la spitalin Infektiv, avokati Altin Goxhaj ka lënë sot vendin, për të marrë kurim jashtë shtetit, për gjendjen e vështirë shëndetësore të cilën po kalon.
Në një postim në rrjetet sociale, Goxhaj shoqërohet nga babai i tij dhe nga regjisori Kastriot Çipi, ndërsa thotë se pas 11 ditësh shpreson që të kthehet totalisht i shëruar.
“Duke u nisur për trajtim të specializuar mjekësor jashtë, (1 muaj pas goditjes që më dhanë ditët e para të Nëntorit por dhe trajtimit shpëtimtar në Spitalin Infektiv).
Kthehem pas 11 ditësh shpresoj i shëruar pasi pasojat e helmimit më kanë lënë pa fuqi krejt dhe me shumë komplikacione. Lajm i mirë është që kam lënë cigaren. Shihemi pas 11 ditësh dhe më uroni fat”, shkruan Goxhaj në rrjetet sociale.
Avokati i njohur prej gati një muaji ka kaluar një komplikacion shëndetësor, ndërsa shkaqet mbeten ende mister.