Partia Demokratike ka ngritur kallëzim penal ndaj Sotiraq Filos, kryetarit të Bashkisë së Korçës, për një projekt në qendër të qytetit që cilësohet ndërtim pa leje.
Deputetja e PD-së për qarkun e Korçës, Eleni Qirici, u shpreh në një prononcim për mediat se kryebashkiaku akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim pa leje” për punimet që vazhdojnë të kryhen në qendër të qytetit, në shkelje flagrante me ligjet.
“Siç jini në dijeni nga shtypi i shkruar dhe nga mediat lokale, në ditët e fundit të Marsit është depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, kallëzimi penal nga Partia Demokratike mes grupit parlamentar në lidhje me “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim pa leje” ndaj kryetarit të Bashkisë së Korçës.
Bëhet fjalë për ndërtimin në qendër të Korçës, përbri Këshillit të Qarkut, një ndërtim që po vazhdon akoma ndërkohë që janë shkelur në mënyrë flagrante ligjet.
Sot kam qenë në deklaratë përballë organit të akuzës duke shpjeguar pikërisht dhe duke i mëshuar faktit të shkeljes së ligjit për këtë ndërtim pa leje. Ndërkohë i kam kërkuar organit të akuzës të qëndrojë konform ligjeve të parashikuara, pasi përpara ligjit të gjithë janë të barabartë.”, u shpreh ajo.
Bëhet fjalë për projektin e “Qendrës polifunksionale dhe shërbimeve”, i cili nuk rezulton të jetë miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe madje nuk është hedhur fare në votim. PD e paditi Filon për ndërtim pa leje në qendër të Korçës, për zaptimin të pronës publike, prishje trotuari dhe bulevardi.
(XH.A/SHUPLAKA)