Mbyllja e rafinerisë në Fier ka detyruar prej ditësh punonjësit të dalin në protestë për rrogat e prapambetura.
Çështja ‘ARMO’ u mor në duar nga socialistët për t’u zgjidhur dhe në shtator të 2016-ës, Kryeministri Rama tha se kjo çështje ishte zgjidhur, dhe se investitori i ri ishte ‘serioz’.
Faxweb.al sjell në vëmendje dy episode. Deklarimin e Kryeministrit në 2016-ën për çështjen e naftëtarëve dhe reagimin e sotëm zyrtar nga qeveria Rama 2.
Ministri Ahmetaj në një konferencë për shtyp ditën e djeshme, tha se qeveria ofron si zgjidhje për 1200 punëtorët e kësaj uzine statusin e të papunit dhe se qeveria sërish është në pritje të një investitori ‘serioz’.
Deklarata e Kryeministri Rama në 2016-ën:
“Ajo që gjetëm ne ishte faktikisht, një situatë e tmerrshme ku jo vetëm rafineria nuk punonte më, por edhe ju kishit kaluar muaj e muaj pa marrë asnjë cent.
Në fakt këta shokët më treguan edhe përpëlitjet për të ushqyer familjen me lista nëpër dyqanet e zonës.
Kur ne kemi negociuar me këta investitorë, që dolën më të vendosurit dhe më seriozët për ta çuar këtë punë përpara, sepse kemi pasur gjithfarëlloj takimesh, gjithfarëlloj përpjekjesh, kushti ka qenë që ditën e parë, gjithë këtyre njerëzve siç ia premtova ju në takim, i duhen paguar rroga e prapambetur dhe duhen siguruar”, tha Rama.
Deklarata e djeshme e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj:
” Qeveria qëndron e angazhuar, e vëmendshme deri në detaje për të mbështetur çdo investitor serioz, që do të vijë me një projekt serioz, për zhvillimin e biznesit në rafineritë e Ballshit dhe Fierit, apo një ofertë nga një investitor serioz për zhvillimin e një biznes-plani në sektor ku përfshihet vënia në punë e të dy rafinerive. Qeveria qëndron e angazhuar të jetë pranë naftëtarëve, duke i ndihmuar me procedurat, duke iu vënë në dispozicion zyrat e punës, në mënyrë që ata punonjës, ata naftëtarë dhe familjarë të përfitojnë menjëherë pagesën e papunësisë. Jemi në gatishmëri, të vëmendshëm deri në detaje për të mbështetur çdo iniciativë private për rivënien në punë të të dyja rafinerive”, deklaroi Ahmetaj.
(F.G/Faxweb)
VIDEO:
https://www.youtube.com/watch?v=zGbOJMli2yg&feature=youtu.be