Mediat belge i janë rikthyer dosjes së Toyota Yaris, ku u gjetën 3.4 milionë euro, të paralajmëruara ditë më parë në Kuvend nga kreu i PD-së Lulzim Basha.
Një zëdhënës i prokurorit federal konfirmon për HLN se hetuesit belgë udhëtuan drejt Shqipërisë në fillim të këtij viti për të marrë në pyetje njeriun që dha indicien për policinë që të gjente paratë, ish-kreun e PD-së Lulzim Basha.
Rasti filloi rreth katër vjet më parë, kur një belg vendosi Toyota-n e tij në një faqe reklamash. Ai kontaktoi me një blerës nëpërmjet internetit. Janë paraqitur dy shqiptarë, të cilëve belgu u ka shitur Toyotën.
Makina përfundoi në një rimorkio në Bruksel së bashku me Toyota të tjera. Në Liège, transporti mori një tjetër Alfa Romeo. Nëpërmjet Gjermanisë më pas shkoi në Itali dhe prej andej me anije në qytetin port të Durrësit në Shqipëri. Aty policia ka kryer kontrollin e makinës ku gjeti dhe paratë.
Dy qese plastike të fshehura në dyer përmbanin gjithsej 3.4 milionë euro dhe 80 mijë franga zvicerane. Kishte edhe 100 euro para të falsifikuara.
Janë arrestuar katër persona, të cilët thanë se nuk dinin asgjë për shumën e madhe të parave.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e shoferit u gjet një kallashnikov dhe një radio për të dëgjuar policinë. Të katër u burgosën nën dyshimin për krim të organizuar.
Pas një hetimi telefonik, në skenë dolën dy kushërinjtë si organizatorë të mundshëm të transportit të dyshimtë të parave: Elvisi (39) dhe Alfred (34) V., dy shqiptarë aktivë në sektorin e makinave. Njëri ka një kompani qiraje në Tiranë, tjetri shet pjesë këmbimi. Sipas mediave vendase, ata mund të kenë ikur nga Shqipëria.
Nga hetimet e policisë shqiptare u tha se kushërinjtë në Belgjikë apo Gjermani nuk kanë precedentë penalë. Por emri i njërit prej tyre doli në skenë në shtetin britanik. Elvis V. (39) u arrestua në Britaninë e Madhe në vitin 2015 së bashku me tre shqiptarë të tjerë gjatë një operacioni ku u sekuestruan më shumë se 10 kilogramë kokainë. Dhjetë anëtarë të bandës u dënuan me gjithsej 50 vjet burg. Vetëm Elvis V. (39) doli i lirë, për mungesë provash.
Policia shqiptare dyshon se dy kushërinjtë kanë organizuar më shumë nga këto ‘transporte parash’, duke përdorur rrugë të ndryshme. Ndoshta kompanitë e makinave të të gjithë të përfshirëve ishin vetëm një mbulesë për të transportuar para nga mafia shqiptare e drogës.
Politikanët e përfshirë:
Në vendin tonë është identifikuar dhe marrë në pyetje shitësi i Toyota Yaris. E kështu është marrë në pyetje kryepolitikani shqiptar Lulzim Basha. Pak ditë para se të gjendeshin paratë, ai bëri të ditur publikisht se një shumë e madhe parash po shkonte drejt Shqipërisë.
Ai akuzoi politikanin socialist Taulant Balla se ka garantuar një “transferim të sigurt” të parave të drogës tek një bandë. Taulant Balla i ka hedhur poshtë gjithmonë këto akuza si shpifje.