Mediat belge kanë shkruar për gjyqin ndaj Kristjan Marinajt, i cili dyshihet se ka bashkëpunuar me ish-deputetin Mark Frroku në ’99-ën për të kryer një vrasje.
Në shkrimet e tyre, thuhet që Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, ka kërkuar 16 vite burg për Kristjan Marinaj, seanca gjyqësore për të cilin u zhvillua dy ditë më parë.
Megjithatë, çështja kryesore këtu ka të bëjë me Mark Frrokun dhe mediat belge shkruajnë: “Asgjë nuk është e sigurt lidhur me gjykimin e tij sepse ai është i afërt me qeverinë”.
Në 1995-ën, ish-deputeti Mark Frroku mbërriti në Belgjikë përmes mashtrimit. Ai mori një qëndrim të përkohshëm duke u paraqitur si kosovar, dhe mbante emrin Besnik Morina.
Për më tepër, sipas akuzave të Prokurorisë, Frroku kishte ngritur një rrjet prostitucioni me vëllain e tij Arbenin. Por, më 5 mars të vitit 1999, një nga rivalët e tyre, Aleksandër Kurti u vra me thikë. Vrasje për të cilën akuzohet ish-deputeti.
“Dhnet” shkruan: “I liruar me kusht, ai u kthye shpejt në Shqipëri. Gjykata Penale e Brukselit më pas e ka dënuar atë në vitin 2010 me 10 vite burgim për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Bruksel. Belgjika ka kërkuar ekstradimin e Frrokut. Megjithatë, deri më tani, ai ka arritur t’i shpëtojë ekstradimit. Si? Falë politikës”. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post