Nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehmetaj ka reaguar për shkarkimet në postet e larta të zyrtarëve që kanë qenë pjesë e LSI-së.
Kujtojmë se vetëm ditën e sotme 8 zyrtarë të lartë, që mbanin poste drejtuese u shkarkuan nga puba, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë. Pas marrëveshjes Rama-Basha janë ashpërsuar masat për punonjësit që përfshihen në fushatën e partive politike.
Mehmetaj bëri të ditur se LSI ka kallëzuar zv/kryeministren Ledina Mandija dhe 3 ministra, kryesisht: ministren Milva Ekonomi, ministrin teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kertusha.
‘’Task Forca e drejtuar nga zv.ministrja Ledina Mandia po bën shkelje flagrante të ligjit dhe në mënyrë arbitrare ka nisur një hakmarrje dhe shantazhe ndaj punonjësve të administratës. Nuk është përfshirë në Task-Forcë asnjë nga ministrat e LSI-së.
Ne denoncojmë fushatën e hakmarrjes, të cilët në 26 qershor do të rikthehen në vendet e tyre të punës. Hakmarrja primitive dhe kanosja me vendin e punës është gjithçka që prodhoi marrëveshja e errësirës. Në emër të LSI-së iu bëj thirrje të gjithë punonjësve që të mos ndihen të kërcënuar pasi hakmarrja ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.
Të gjithë kanë vetëm një mundësi LSi-ja forcë e parë’’, u shpreh Mehmetaj.
Deklarata e plotë:
Jam këtu për t’ju bërë me dije se Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë kallëzim për fillimin e ndjekjes penale për shpërdorim detyre të ministrave: Milva Ekonomi, Gazmend Bardhi, Xhuljeta Kërtusha, dhe Zëvendëskryeministres Ledina Mandija, në cilësinë e kryetares së Task-Forcës së ngritur nga qeveria, që në shkelje flagrante të ligjit, në mënyrë arbitrare dhe në mungesë të plotë të transparencës, kanë nisur një fushatë hakmarrjeje dhe shantazhi ndaj punonjësve të nivele të ndryshme në administratën publike.
Pikërisht për ta shpërdoruar Task-Forcën për hakmarrje politike, nuk është përfshirë në të asnjë prej ministrave që vijnë nga radhët LSI-së.
Është një skenar i njohur për ne, e natyrisht që nuk prisnim gjë tjetër prej marrëveshjes së errësirës, e cila në vend të standardit të zgjedhjeve, me sa duket e ka hallin të hakmerret ndaj LSI-në.
Duke theksuar se për LSI-në është i rëndësishëm zbatimi i ligjit, ne denoncojmë publikisht fushatën e hakmarrjes dhe të kërcënimit politik ndaj njerëzve të administratës publike, të cilët më 26 qershor do të kthehen të gjithë në vendet e tyre të punës njësoj siç ndodhi me të gjithë ata që Lulzim Basha i largoi padrejtësisht nga puna para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe që pas fitores së LSI-së u rikthyen të gjithë vendet e tyre të punës.
Hakmarrja primitive revanshizmi politik dhe kanosja me vendin e punës janë modeli më i shëmtuar që prodhoi marrëveshja e errësirës, perversiteti i së cilës po shfaqet përmes largimit të paligjshëm nga puna të shumë specialistëve e profesionistëve të përkushtuar.
Në emër të LSI-së ju bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës të larguar padrejtësisht nga puna, por edhe shumë të tjerëve që janë përfshirë në listat e zeza të marrëveshjes së errësirës, që të mos ndihen të frikësuar, sepse koha e hakmarrjes shtetërore për shkak të bindjes politike apo shprehjes së lirë të mendimit ka perënduar një herë e përgjithmonë.
Oligarkia që është në grahmat e saj të fundit nuk mund t’i trembë dhe as t’i frikësojë qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë kuptuar përfundimisht që përballë të keqes së tyre kanë vetëm një shans, votën për LSI-në, forcë të parë më 26 qershor. Asgjë nuk e ndalon fitoren e LSI-së, sepse ajo është partia e të rinjve dhe jo partia e oligarkisë. Faleminderit!
(E.K/SHUPLAKA)