Në një intervistë për Fax News, gazetari Faton Mehmeti analizoi zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, duke vënë theksin tek vizita e një zyrtari të lartë amerikan në vend, situata e tensionuar në Kuvendin e Kosovës dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në marrëdhëniet Kosovë–Serbi.
Mehmeti konfirmoi se një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit Brendan Hanrahan ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Presidenten Vjosa Osmani, të cilin e cilësoi si “shumë të frytshëm”.
Sipas tij, kjo vizitë nuk është vetëm simbolike, por dëshmon rikthimin e interesit amerikan në rajon dhe veçanërisht në Kosovë.
“Kjo vizitë ka një rëndësi të madhe diplomatike dhe politike. Është një sinjal i qartë që SHBA po e kthen sërish vëmendjen nga rajoni ynë,” – u shpreh Mehmeti.
Gazetari shtoi se vizita e zyrtarit amerikan ka ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut.
Ai nënvizoi se zyrtari i DASH pritet të zhvillojë një takim edhe me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, takim që sipas tij mund të ketë jehonë të fortë diplomatike.
“Ky takim mund të përkthehet si një ‘shuplakë’ për Vuçiç, nëse mesazhet amerikane nuk përputhen me qëndrimet e tij,” – tha Mehmeti.
Faton Mehmeti e konsideroi Presidenten Osmani si një faktor kyç në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së. Ai theksoi se roli i saj diplomatik është i dukshëm dhe se kjo vizitë është një reflektim i drejtpërdrejtë i angazhimit të saj.
Sa i përket situatës së brendshme politike, Mehmeti theksoi se vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale. Ai e cilësoi si “serial politik” ngërçin në Kuvendin e Kosovës, duke përmendur faktin se deri më tani janë bërë 44 përpjekje të dështuara për formimin e tij.
“Është një situatë e paprecedentë që mund të vazhdojë pafund. Opozita duket se është futur tashmë në një kurth nga i cili nuk mund të dalë lehtë,” – theksoi ai.
Mehmeti paralajmëroi se priten dy vendime të rëndësishme nga Gjykata Kushtetuese, të cilat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhbllokimin e situatës.