Pasi humbi garën për kreun e KMSH-së, myftiu i Tiranës Ylli Gurra ka hedhur akuza të forta për procesin, që sipas tij është ndikuar nga mekanizma okultë.
Gurra u shpreh se ai kishte kërkuar më shumë kohë në dispozicion dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve në mënyrë që të merrnin shqetësimet e besimtarëve myslimanë.
‘’Unë kërkova që të shtyhej data e zgjedhjeve për shkak se duhej të dëgjoheshin të gjithë besimtarët. Sot jemi përpara një kapjeje të institucionit, titullari nuk mund të zgjidhet nga mekanizma okultë. Gylenistët apo osmanistët nuk janë pa ndikime në këtë katapultim”, u shpreh Gurra.
Ndërkohë ai u shpreh edhe për akuzat që i janë bërë se është i ndikuar nga eksponentë të majtë, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori.
“Unë nuk jam ushtar i askujt, as majtas, djathas, në Anadoll e gjetkë”- tha ai.
Sipas tij, zanafilla e problemeve me organizatat okulte është që në 8 mars të 2014, kur KMSH iu katapultua një kryetar, duke iu referuar Skënder Bruçajt.
“Në presionin e atëhershëm, tani iu imponua një titullar i cili në 5 vite jo vetëm ne por edhe ju keni pa asgjë në komunitet, humbje të tërë pronësish duke filluar nga qendra e Tiranës, duke përjashtuar myftininë Tiranë, pra pasoja për jetën dhe mbijetesën e shërbëtorëve të parë, hoxhallarët nga Tirana e në cdo myftini tjetër. Pas kësaj, kemi një faturim mbi KMSH të barrëve që nuk i takojnë, edhe ato pak të ardhura kanalizohen në mënyrë të paditur jashtë objektivave që ka komuniteti”- tha ai.
Kryetari i zgjedhur sot në KMSH Bujar Spahiu u shpreh:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë! Ju, sot më keni nderuar, por njëkohësisht më keni vënë përpara një vështirësie të madhe. Unë i lutem Zotit të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë. Të nderuar anëtarë, ju lutem shumë edhe juve, lutuni për mua, lutjuni Zotit që të ma bëjë më të lëhtë këtë barrë.
Të nderuar përfaqësues të Komiteti Shtetëror të Kulteve ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë proces! Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush se, do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njëriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim do ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.
Të nderuar përfaqësues dhe partnerë ndërkombëtar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë kontribues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi, Ne si myslimanë jemi përgjegjës përpara Zotit për përhapjen e paqes dhe dashurisë jo vetëm midis besimtarëve tanë, por për përçimin e paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore.
Të dashur besmitarë dhe besmitare mysliman të Shqipërisë, unë nga sot, nuk do ta ndiej veten si kryetari juaj, por do të jem, me ndihmën e Zotit, shërbëtori besnik i Kuranit Fisnik, dhe traditës profetike. Na takon më shumë neve, sëbashku, t’i përkushtohemi punës, të cilën na urdhëron Allahu XH.SH në Kuranin Fisnik për të çuar në zemrën e çdo njeriu mesazhin paqësor të islamit. Na takon më shumë ne që t’i dedikohemi detyrës së madhe që kemi përpara.
Feja jonë është feja e paqes dhe shpresës! Vendi ynë ka nevojë për më shumë paqe dhe shpresë, Ne, me ndihmën e Zotit, do të punojmë për t’i dhënë rinisë, të varfërve, jetimëve, të moshuarve… më shumë paqe dhe shpresë.
Të dashur besmitar dhe qytetarë të vendit tim, të përpiqemi që secili prej nesh, të vendosë një balancë midis kësaj bote dhe Ahiretit (botës së përtejme).
Të balancojmë vrapin drejt kapitalit financiar në kurriz të kapitalit moral.
Të bëhemi më humanë, të rendim vetëm pas hallallit. Të ndajmë nga pasuria jonë për të varfërit, jetimët, të moshuarit, të sëmurët.
Të ruajmë dhe të forcojmë familjen, familja është vlera e shoqërisë tonë, familja është traditë profetike, ta ruajmë atë.
Vëllezër dhe motra besimtarë t’i lutemi Zotit të na forcojë besimin. Besimi në Zot është i vetmi besim që nuk zhgënjen!
Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve!
Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
O Allah, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë ,Na udhëzo në rrugën e drejtë, na udhëzo në rrugën e atyre të cilët I ke begatuar me besimin dhe adhurimin vetëm ndaj Teje.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post