Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hap dyert e një hapësire të re për krijimtarinë dhe skenën e pavarur artistike, të quajtur “HangArt Kinostudio”.Në eventin e prezantimit të kësaj hapësire te re artistike në Kinostudio, morën pjesë Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si edhe kryeministri Edi Rama.
Eventi bashkoi skenën e pavarur, institucionet kulturore dhe të gjithë partnerët për të prezantuar arritjet e kulturës dhe mbështetjen për krijimtarinë.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e “HangArt Kinostudio”, ministri Blendi Gonxhja tha se gjatë vitit 2024, skena e pavarur artistike, institucionet shqiptare të artit e kulturës dhe Javët Ndërkombëtare të Kulturës gjeneruan falë buxhetit dhe thirrjeve 2,300 aktivitete, me 450 mijë spektatorë.
Ndërsa 850 mijë vizitorë të tjerë çuan në 1.3 milionë totalin e frekuentuesve, sipas ministrit.
Gonxhja theksoi se në vitin 2025, buxheti për mbështetjen e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore është rritur +45% më shumë se në Janar 2024, duke reflektuar në rritjen e buxheteve kulturore të institucioneve artistike e kulturore në varësi të MEKI, si dhe në rritjen e mbështetjes financiare për skenën e pavarur artistike (artistë dhe organizata kulturore) në fusha si arte performative, ngjarje kulturore, prodhim krijues, letërsi, artizanat, mobilitet i artistëve dhe i shfaqjeve.
Fjala e plotë e ministrit Blendi Gonxhja
“Mirese na keni ardhur në HangArt Kinostudio, nga sot një hapësirë e re e Juaja!
Vetë prezenca Juaj sot, duke njohur rrethet dhe natyrën e kësaj audience, flet shumë për marrdhënien e re të MEKI-t – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Ju dhe me të gjithë spektrin e skenës sonë të pavarur artistike!
Të gjitha qeveritë e ministrat e linjës flasin për përkrahjen e artit dhe kulturës, por besoj nuk e teproj nëse them se momentumi aktual i raportit tonë është historik sa i takon hapjes së MEKI-t dhe qeverisë sonë ndaj Jush dhe veprimit konkret, me vepra dhe jo me fjalë, për mbështetjen e krijimtarisë, iniciativës dhe gjithë sektorit art & kulturë, në individualitete, nisma, grupe e organizata!
Sëbashku, gjatë vitit 2024, skena e pavarur artistike, institucionet tona të artit e kulturës dhe Javët Ndërkombëtare të Kulturës gjeneruan falë buxhetit dhe thirrjeve 2,300 aktivitete, me 450 mijë spektatorë. Ndërsa 850 mijë vizitorët e tjerë të siteve, kalave e muzeve e çuan në 1.3 milionë totalin e frekuentuesve!
Megjithatë, të nxitur edhe nga gjetjet e studimit “Mbi mekanizmat e mbështetjes dhe burimet financiare për Artet Pamore në Shqipëri” të United Nations Associaton Albania (UNAA) dhe në një bashkëpunim të frytshëm, u angazhuam si MEKI gjatë vitit 2024 të rishikonim skemën e financimit të thirrjeve për artin dhe kulturën përmes një dialogu më të strukturuar me skenën e pavarur artistike, duke realizuar një sërë dëgjesash të quajtura “Zërat e Kulturës”, në trajtën e takimeve të hapura me rreth 150 profesionistë, organizata, ekspertë dhe përfaqësues të fushave e disiplinave të ndryshme.
Si rezultat, në vitin 2025, buxheti për mbështetjen e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore është rritur +45% më shumë se në Janar 2024, duke reflektuar në rritjen e buxheteve kulturore të institucioneve artistike e kulturore në varësi të MEKI, si dhe në rritjen e mbështetjes financiare për skenën e pavarur artistike (artistë dhe organizata kulturore) në fusha si arte performative, ngjarje kulturore, prodhim krijues, letërsi, artizanat, mobilitet i artistëve dhe i shfaqjeve.
Duke u ndalur tek skema e re e Thirrjeve për vitin 2025, shifrat flasin qartë:
* 668 aplikantë (+20% më shumë se në vitin 2024)
* 275 fitues (+37% më shumë se në 2024)
* 3 milionë Euro fondi i mbështetur për projektet (2.5 herë më i lartë se në vitin 2024 dhe 6 herë më i lartë se në vitin 2014)
* 1,566 persona të punësuar e mbështetur (efekt direkt socio-ekonomik)
* 52% e aplikuesve janë aplikime të reja që mbështeten për herë të parë, çka provon se grantet nuk janë monopol, por një proces transparent.
* 933 evente të mbështetura (më shumë se 2-fishi nga viti 2024, pasurim i kalendarit artistik e kulturor për spektaktorët, rritje e turizmit kulturor).
* 57% e fondit të kërkuar u mbështet nga Thirrjet e viti 2025, nga 24.6% që ishte mbështetja mesatare e Thirrjeve 2024! (rritje mbi 2 fish e financimit)
Pra më shumë financim, më shumë aplikantë, më shumë fitues, më shumë aplikues për herë të parë, më shumë evente, më shumë financim për aplikim!
Sipas fushave të mbështetura për vitin 2025, përsëri shifrat flasin mirë e qartë:
* Muzika & Baleti 31%
* Artizanati & Trashëgimia 23%
* Artet Pamore 22%
* Teatër & Kinematografi 14% (kinematografia mbështetet edhe nga QKK)
* Letërsi 10% (botimet dhe autorët mbështeten edhe nga QKLL)
Viti 2025 sjell 3,500 evente nga skena e pavarur artistike, institucionet e artit dhe kulturës, Javët Ndërkombëtare të Kulturës dhe Ditët Shqiptare të Kulturës, ose +52% aktivitete më shumë se viti 2024, me 600 mijë spektatorë të pritshëm, +33% rritje! Edukim, angazhim rinor, turizëm e ndërkombëtarizim!
Risi me rëndësi është edhe Fondi i Rijetëzimit të Art-Kulturës, për 3-vjeçarin 2025-2027, i buxhetuar nga MEKI në vlerën 6 milionë Euro, për ndërhyrje në objekte trashëgimie, monumente kulture private e publike, qendrore e vendore.
Gjatë vitit 2025, do të përgatitet Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 me fokus vizatimin e një plani të qëndrueshëm e afatgjatë për zhvillimin e artit e kulturës në Shqipëri në bashkëpunim: Ju, MEKI, AICS, UNESCO e British Council.
Strategjia do të parashikojë reformat e nevojshme ligjore në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, mekanizmat dhe strukturimet e nevojshme për mbështetjen për artistët shqiptarë dhe profesionistët e kulturës përmes politikave kombëtare por edhe nxitjes së tregut privat, promovimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore (muze, parqe arkeologjike, kala dhe objekte të trashëgimisë kulturore), rrjetëzimin, zhvillimin dhe mbështetjen e qëndrueshme të artizanatit, si dhe fuqizimin e qendrave kulturore e artistike.
Brenda vitit 2030 do të ngrejmë hapësira të reja, të dedikuara librit e artit, dhe do të rikualifikojmë destinacionet kulturore e historike anembanë vendit.
Punojmë për Teatrin e ri Kombëtar, Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Muzeun Historik Kombëtar të rikonstruktuar, Muzeun e ri të Arteve të Bukura (ish Galeria Kombëtare e Arteve të restauruar) dhe objektin e ri që i bashkangjitet, Bibliotekën Kombëtare të rigjeneruar në Pallatin e Kulturës të rikonceptuar, Bibliotekën e re Publike tek ish Garda, Muzeun e Filmit në Tiranë dhe Muzeun RETRO në Elbasan, Qendrën e Artit Modern & Industrisë Kreative, Qendrën Interpretative për Trashëgiminë Kulturore, Parkun e Artit & HangArt, Muzeun Arkeologjik Durrës dhe Korçë, rikonstruksion, Muzeun e Mozaikëve, Muzeun “Besa”, Muzeun e Arbëreshëve, Muzeun Italian dhe Muzeun Hebraik!
Përtej ngrehinave e investimeve fizike, FOKUSI ynë primar është tek sinergjia, tek motivimi dhe mobilizimi i fondeve dhe burimeve së pari tek NJERIU, tek Artisti, tek Krijimtaria, tek besimi për Ju e ndërveprimi me ndërgjegjen artistike!
Politika të reja për vetëfinancimin, fondacionet dhe filantropinë, koleksionizmin dhe fondet për blerje veprash, borde publike komisionimi, biletimin dhe tarifat dinamike, merchandising, sponsorizimin dhe marketimin kulturor, fondet nga ente si OBP dhe Bastet, TaxRebate, stimujt, NoTAXArt, janë në skrivanitë e MEKI.
Kush u tremb a u step nga krijimi i MEKI, tani duhet të qetësohet, parë rritjen e Kulturës, fondeve, vëmendjes dhe fuqizimin e sektorit! Sot jemi më lart se dje!
Dua të falenderoj ekipin e MEKI për mbingarkesën e vitit 2024, që me marrjen e stafetës, për riformatimin e sektorit të kulturës dhe latimin e risive, programeve dhe projekteve të 2025-ës, si dhe investimeve të reja e në proces!
S’mund të mos falenderoj Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme dhe vizionin e tij frymëzues për mua dhe ekipin e MEKI!
Falenderim edhe për të gjithë ju, artistë e krijues, komunitete e organizata, që na ribesuat dhe na e pasuruat punën tonë me kontribut të vyer e eksperiencë!”