Planet e dëbimit të kryeministres italiane Giorgia Meloni nuk funksionojnë: kampet italiane në Shqipëri janë bosh. Roma tani po shqyrton përdorimin e tyre në një mënyrë tjetër nga ajo që ishte planifikuar më parë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kërkuar rishikimin e “modelit të saj të Shqipërisë” për dëbimin e shpejtë të refugjatëve pas disa humbjeve në gjykata. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi konfirmoi në parlament informacionet se emigrantët, kërkesat për azil të cilëve tashmë janë refuzuar në tokën italiane, mund të akomodohen në të ardhmen në kampet shqiptare.
Aktualisht edhe kampi i Shëngjinit dhe ai i Gjadërit janë bosh. Që nga hapja e tyre në vjeshtë, janë mbajtur atje vetëm për disa ditë meshkuj të ndaluar në det nga roja bregdetare italiane, kur ata po përpiqeshin të kalonin Mesdheun.
Në fakt, në Shqipëri, e cila nuk është anëtare e BE-së, zyrtarët italianë duhet të vendosin shpejt për kërkesat për azil dhe më pas t’i dëbojnë aplikuesit. Megjithatë, modeli nuk ka funksionuar deri tani.
Drejtësia në Romë i ka bllokuar planet e qeverisë tre herë që nga tetori. Si pasojë, 66 personat, që u mbajtën të ndaluar në Shqipëri U transferUAN në Itali. Më 25 shkurt, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian do të merret me këtë model për herë të parë.
Kostot e ndërtimit dhe funksionimit të kampeve vlerësohen në më shumë se 650 milionë euro. Në parim në kampe ka vend për më shumë se 1200 emigrantë. Italia është i vetmi vend i Bashkimit Evropian që operon kampe të tilla jashtë BE-së. Megjithatë, qeveritë e tjera evropiane po i vëzhgojnë nga afër planet.