Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Shkup ku u takua me homologen e tij, Siljanovska Davkova. Gjatë vizitës së tij në Shkup Milanoviç ka folur në lidhje me marrëveshjen e mbrojtjes të nënshkruar nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova.
Ai theksoi se Serbia nuk ka arsye të shqetësohet për bashkëpunimin trepalësh. Milanoviç shtoi se si president i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura e mbështet këtë memorandum.
“Nuk kam marrë pjesë në hartimin dhe miratimin e këtij dokumenti, por si president i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura e mbështes këtë memorandum. Dhe në një farë mënyre dua t’i qetësoj shtetet fqinje, si për shembull Serbinë, se nuk ka arsye për shqetësim. Maqedonia e Veriut është në NATO, dhe kjo mjafton”, u shpreh Milanoviç në një konferencë të përbashkët për media me Davkova.
I pyetur për pritshmëritë nga marrëveshja Milanoviç theksoi se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare formale. Ai theksoi se kjo marrëveshje është thjesht një deklaratë, pa pasoja juridike ndërkombëtare.
“Dokumenti që përmendët nuk është marrëveshje, por një deklaratë, pra një memorandum. Është një dokument që është nënshkruar në formë protokolli nga tre ministra të mbrojtjes. Nga pikëpamja e sistemit kushtetues kroat, ai nuk plotëson kushtet për të qenë marrëveshje ndërkombëtare – është thjesht një deklaratë, pa pasoja juridike ndërkombëtare”, tha Milanoviç.
Ai theksoi se Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova është një shtet mik, që ende nuk është anëtar i Bashkimit Evropian dhe nuk është pranuar zyrtarisht.
“Nëse do të përfaqësoja Maqedoninë e Veriut, nuk do të shqetësohesha fare për këtë çështje. Nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por është në linjë me politikën e jashtme të Kroacisë”, shtoi presidenti kroat.