Një nga pikëpyetjet më të mëdha të ditëve të fundit në përballjen me Covid 19 është dhe ajo nëse duhet ta marrin apo jo vaksinën personat që kanë kaluar koronavirusin, dhe a është etike që ata të marrin doza, në një kohë kur këto të fundit janë me pikatore.
E gjendur përballë këtyre pyetjeve, që duket se ia bëjnë edhe drejpërdrejtë, mjekja e spitalit Infektiv Entela Kolovani, e cila e ka kaluar Covidin që në Marsin e 2020-tës ka vendosur që të japë arsyet e veta se pse vendosi që ta marrë vaksinën.
Sipas saj vaksinën e bëri për respektin që ndjen për familjarët e saj, të cilët nuk mund ti vërë në rrezik, sa kohë që nuk ka garanci për imunitetin afatgjatë që krijon trupi në mënyrë natyrale.
Më tej ajo tregon se e ka pyetur disa herë veten, nëse do t’ia jepte dikujt tjetër dozën e saj të vaksinës, por mes rreshtave lë të kuptojë se disa kolegë të saj nuk e kanë merituar, pasi më shumë kanë qendruar në ekran dhe në rrjetet sociale gjatë pandemisë, sesa u kanë shërbyer pacientëve.
Postimi i plotë i mjekes:
Për të gjithë ata që pyesin (me kërshëri, tendencë, prapamendim) përse unë e bëra vaksinën edhe pse e kam kaluar kovidin, për të gjithë ata që e gjithë kjo ju duket një teatër absurd, sepse kur e sheh nga jashtë dramën që po luhet në këtë skenë të madhe ndoshta ashtu ngjason (unë nuk e pata dot këtë fat të mirë), për të gjithë ata që e dinë mirë që prej afro një viti unë trajtoj pacientë me covid, ka një përgjigje.
Mund të kisha dalë e të shpjegoja njëmijë të njohurat e të panjohurat e imunitetit të sëmundjes e të vaksinës (e kush më mirë se ne u mor gjatë gjithë këtyre muajve, gjurmoi, pa, ndjeu, preku, vuajti, u dëshpërua, u gëzua, qau, priti me padurim, me durim deri në limit), por nuk po zgjedh këtë rrugë. Nuk dua t’i ngre shkencërisht argumentat e mia. Shkencën e bëjmë me njëri-tjetrin kur diskutojmë, lexojmë, sjellim artikuj të fundit, ndërtojmë strategji për të kuruar pacientë të vështirë.
Arsyet e mia janë edhe më të thjeshta se lëmshet e ngatërruara nëpër portale, emisione gazetarie, rrjet: ka vaksinë, s’ka vaksinë, nuk ka për të ardhur, erdhi, si erdhi, pse erdhi, kush e bëri, le ta bëjnë ata të parët, pse ta bëjnë ata të parët…..dhe sigurisht mendjet e stërholluara arrijnë ta bëjnë edhe politike arsyen pse vaksinohem unë.
T’ia falja dozën time një kolegu…e mendova shumë përpara se të mendoja për vete. Më dolën para syve dhjetëra kolegë , njëkohësisht edhe miqte e mi , që duke na njohur nga afër, duke ditur kalvarin e gjatë kovidian, mënyrën e punës, vendin ku po jetojmë jetën tonë së fundmi : mes aerosolesh që thithim përditë e me orë të zgjatura në një mjedis infektiv, do e kishin nxjerrë nga dheu po të mundeshin atë vaksinë për ne. Sic do ishim edhe ne gati të jepnim frymën tonë për t’i mbajtur ata në jetë kur rrezikohen. Jo, ata nuk do ta pranonin vaksinën time !
Pastaj mendova kolegë të tjerë, disa prej të cilëve u strukën diku gjatë kësaj kohe, ose ata që tallen, etiketojnë, shtyjnë kohën rrjeteve sociale me ne se ende kovidi s’ua ka cikur derën, ata që nuk trokitën njëherë tek une për dhjetë muaj rresht ti degjoja te thonin : sot do t’i shoh unë pacientët e tu, ti shko shih një pasdite tët bir se si gjuan për tre pikë.
…dhe vendosa t’ia lejoja vetes luksin për ta bërë atë vaksinë.
E bëra se kam respekt për veten time. E bëra se kam respekt për familjen time, prindërit e mi, miqtë e mi. E bëra se dua të jap një kontribut modest sesi krijohet besimi tek shteti yt. E bëra se kam besim tek shkenca, se nuk jam antivaksiniste dhe dua me shpirt të përfundojë sa më shpejt kjo gjëmë që merr pa të keq jetë, që po u prish rrjedhën e jetës familjeve, po ndan njerëz, po izolon prindërit tanë të mirë që dënim më të madh sesa t’i ndaje nga nipërit e tyre nuk do gjeje kurrë, e bëra se unë duhet të vazhdoj e fortë për pacientët e mi.
Përse Entela Kolovani, që ka deklaruar vetë se e ka kaluar kovidin në mars të vitit të kaluar e bëri vaksinën??? Epo, mbesa ime Jana thote se nuk do të ekzistonte shëmtia nëse të gjithë do e kishim zemrën në vendin e duhur!
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post