Gazetari Sokol Shameti ka ironizuar lajmet në transmetuesin publik shqiptar. Ai i ka quajtur ato përralla edhe pse sipas tij përpiqen të jenë gjithëpërfshirës në mënyrën si i “gatuajnë” lajmet.
“Lajmet në Televizionin Publik shqiptar – nëse rastis t’i shihni – janë dëshmia më e prekshme se përrallat për “shtetbërje” të Rilindjes, janë me tërë mend, thjesht përralla. Nga të gjitha poret e tyre fryn një duhmë e pistë primitivizmi.
Njëanshmëri të cilën as që marrin mundimin ta fshehin. Edhe kur bëjnë “përpjekje” për t’u dukur si politikisht gjithëpërfshirës, përfundojnë në gatimin e një ironie dylekëshe” shkruan ai.
Shameti e ka zgjeruar ironinë e tij duke marrë shembuj lajmesh nga TVSH duke i renditur ku bie në sy një prezencë e konsiderueshme e qeverisë e sjellë nëpërmjet edicionit të lajmeve.
“Ja për shembull, menuja e sotme:
lajmi i parë – Rama (terma heroikë)
Lajmi i dytë – Rama (terma humanizues të liderit qiellor)
Lajmi i tretë – Meta (terma neutralo-indiferentë).
Lajmi i katërt – aleatët perëndimorë të Ramës (gjuhë e tipit: “faktet flasin vetë”)
Lajmi i pestë – opozita (shkurt, shpërdorim i qëllimshëm i kohës me terma parazitarë dhe distancues si “sipas saj”, “sipas tyre”, “pretendon se”, etj etj)
Lajmi i gjashtë – ekonomi (po citoj një fjali se ishte e lezetshme: qeveria ka premtuar heqjen e akcizës për të ndihmuar biznesin, por jemi në mandatin e parë dhe nuk është paraqitur ende mundësia). Etj etj etj…”
Sokol Shameti ka përfunduar se kjo mynxyrë është e paguar me paratë e shqiptarëve.
(M.D/ Shuplaka)
Discussion about this post