Merita është një sipërmarrëse e vogël te Pazari i Ri, e cila denoncon hapur atë që po ndodh me të dhe 5 kolegë të tjerë të saj, të cilët njësoj si ajo zotërojnë dyqane. Por me rikonstruksionin që po i ndodh zonës, ata kishin nisur rregullimin e dyqaneve, me paratë e tyre.
”Jemi 6 pronarë që disponojmë 6 dyqane me dokumente. Kemi filluar me fondet të rikonstruktojmë dyqanet me paratë tona, deri te tjegullat, në këtë moment bllokohemi nga bashkia.”, rrëfen Merita për ”Nisma Thurje”.
Merita dyshon se shkak i këtij bllokimi është një vilë pas, që siç thotë, flitet se është e një deputeti të Partisë Socialiste.
”Ne mendojmë se i vetmi shkak është vila mbrapa, që flitet se është i një deputeti të Partisë Socialiste.”, thekson ajo, por pa thënë konkretisht se e kujt flitet se është
Merita këmbëngul se ajo dhe të tjerët janë pronarë të ligjshëm dhe ka dyshime të forta se Bashkia e Tiranës kërkon të shpronësojë dyqanet e tyre. ”Ne jemi pronarë të ligjshëm, Bashkia e Tiranës kërkon të shpronësojë dyqanet tona. Kërkojmë sensibilizimin e kryeministrit të vendit Edi Rama, kryetarit të Parlamentit dhe gjithë institucioneve. Ne jemi në të drejtën tonë. Pronat tona do t’i mbrojmë deri në vetëmohim!”, përfundon e vendosur Merita.
Zonja zotëron një dyqan të ndërtuar në vitet ’40. Bashkia e Tiranës para disa muajsh i kërkoi që të ndryshojë fasadën dhe çatinë me shpenzimet e saj, për t’ju përshtatur projektit të ri.Ajo dhe pronarët e tjerë e mirëpriten dhe investuan kursimet për të prishur fasadat e vjetra dhe për të ndërtuar të rejat, duke u pajisur edhe me lejë nga bashkia. Por mes punimeve u erdhi urdhri që të ndalonin punimet. (V.G/SHUPLAKA)