Nga takimi me Jean-Claude Juncker tek ai me Angela Merkel. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e pati mjaft të ngjeshur këtë fillimjavë, kur nga dy figura të rëndësishme të bllokut europian mori konfirmimin se mbështetja për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së vazhdon, por vetëm nëse zgjidh problemet me Kosovën.
“Negociatat e anëtarësimit mund të jenë të suksesshme nëse vazhdojnë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe normalizohen marrëdhëniet me Kosovën. Me Kosovën duhet të ketë një marrëveshje kontraktuale”, deklaroi Merkel.
Gjermania është një prej vendeve të cilat e kanë kërkuar hapur që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe që në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridike për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd. Vuçiç nuk ia ka fshehur kancelares problemet me të cilat po përballet Serbia, duke theksuar se vendi i tij është gati për një zgjidhje nga e cila të dyja palët të humbasin diçka.
“Serbia nuk mund të jetë humbësja e vetme”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët dhënë pas takimit të tyre në Berlin. Por, ndërsa kreu i shtetit serb lëshon sinjale kompromisi, ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç vazhdon përpjekjet për minimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe së fundi ka pritur një delegacion të Çekisë nga Partia Socialdemokrate pas iniciativës së kësaj partie për nënshkrimin e peticionit i cili parashikon që njohja e bërë Kosovës prej këtij vendi, të tërhiqet.
(E.K/FAXWEB)