Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka deklaruar se vendimi i Anglisë për të lënë Bashkimin Evropian dhe zgjedhja në Francë e presidentit Emmanuel Macron, ishin dy ngjarje që i ndryshuan fatin BE-së.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që është padyshim një moment shumë i rëndësishëm për të dhe CDU-në, Merkel është shprehur se ia vlen që të luftosh për një Evropë më të fortë.
“Për shumë njerëz, përfshirë mua, diçka ndryshoi kur britanikët vendosën të largohen dhe ne ishim të shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve në Francë e Holandë. Por gjatë muajve të fundit kuptuam, se Evropa dhe të jetuarit bashkë, kanë të bëjnë me luftën dhe paqen”, u shpreh kancelarja gjermane, raporton Reuters.
Këto deklarata, kancelarja gjermane i bëri përpara zgjedhësve gjatë një takimi në një resort, në qytetin turistik Zingst.
“Kjo është arsyeja pse një prej pikave tona zgjedhore është shprehja: Nëse Evropa është më e fortë, atëherë Gjermania do të jetë më e fortë, këto janë të lidhura drejtpërdrejt.”, ka shtuar më tej Merkel. (D.D/ Shuplaka)