Gazetari Mero Baze ka sulmuar së fundi kolegen e tij Eni Vasili, për shkak të intervistës që ajo ka zhvilluar me ish-kryeministrin Sali Berisha, ku ky i fundit akuzoi gazetarin Artan Hoxha se është paguar 40 mijë euro nga Bajrët, në Shkodër.
Baze në një editorial në median që drejton është shprehur se Eni Vasili nxitoi që të përgënjeshtronte lajmin e hedhur në media se ajo merrte para nga grekët, ama për gazetarin Hoxha nuk tha asnjë fjalë.
Më pas ai ka kaluar dhe në përmjendjen e disa situatave nga karriera e gazetares, teksa thotë se nëse ajo nuk reagon për akuzat e Berishë, rrjedhimisht të tjerë njerëz mund të thonë lirisht se Vasili është përdorur nga mafia e naftës së Rezart Taçit.
‘’Me kriterin që Berisha prodhon lajmet para fytyrës në ekstazë të Eni Vasilit, ne mund të themi lirshëm që Eni Vasili është financuar nga grekët, ka marrë fonde të dyshimta nga qeveria “Rama” në emër të një shoqate fantazëm, ka qenë përdorur nga mafia e naftës së Rezart Taçit dhe është paguar për të mbuluar korrupsionin e tij, e çfarë të na vijë në mendje për jetën e saj. Për fat, nuk e ka bërë askush, pasi është minimalisht, ose më i përgjegjshëm se Eni Vasili në gazetari, ose më pak partizane se ajo, ngaqë nuk them dot, jo aq budallaqe sa ajo”, është shprehur mes të tjerave Baze.
Ndërkohë që në një reagim të vetë Vasilit, ajo shpjegon se ka shumë ndryshim në mes të intervistimit të Ramës dhe Berishës, për shkak se kryeministri ka në dorë fatin e shqiptarëve, dhe mund të ndërmarrë vendime të rëndësishme, ndërsa Berisha nuk mban asnjë funksion drejtues.
“Debati filloi për shkak të një provokimi nga zyra e shtypit të kryeministrit Rama në orët e vona të mbrëmjes, dhe zëdhënësi i kryeministrit na tërhoqi vëmendjen se përse ishim të “squllur” përballë Berishës ndërkohë që jemi “luftarakë” përballë Ramës.
Fakti që emisioni prodhon debat është vetëm i shëndetshëm. E shoh këtë gjë edhe si një PR për emisionin.
Më bën të ndihem mirë që zyra e shtypit detyrohet të provokojë dhe të reflektojë pas emisionit.
Së dyti, dua të them që është një krahasim që nuk qëndron, ai mes një ish-kryeministri dhe një kryeministri aktual.
Një ish-kryeministri sot është e vështirë t’i kërkosh llogari ndërkohë që nuk ka asgjë në dorë.
Ndërsa kryeministri ka në dorë fatin e shqiptarëve, prodhon ligje dhe politika çdo ditë, prandaj kemi arsye pse të jemi agresivë.
Debatet që e shoqërojnë gjithmonë politikanin Berisha është pasqyra ku mund te shohim se si ai është një personazh polarizues,” tha Eni Vasili.
“Nëse marrim shembullin e fundit të Sali Berishës unë kërkoj të vërtetat, por aty janë të vërtetat e Sali Berishës.
A jam etike unë duke u përpjekur të gjej të vërteta të tjera? Po, por në fund fare unë do marr të vërtetat e Sali Berishës apo Edi Ramës apo dikujt tjetër.
Unë nuk është se po bëj gazetari investigative, të shkoj në terren dhe të gjej fakte për të provuar të vërtetat.
Është ndryshe gazetaria e debatit politik në studio nga ajo ku mbledh disa të dhëna dhe mundohesh të gjesh të vërtetat objektive.
Në një intervistë politike kjo është e vështirë të ndodhë”, është shprehur më tej Vasili.
Reagimi i plotë i Mero Bazes:
Lajmi se Eni Vasili është paguar nga një fond sekret i Ministrisë së Jashtme greke, është një shpifje e rëndomtë, ashtu siç është për gjithë të tjerët që janë në atë listë.
Në rastin konkret, lista është një manipulim i një sharlatani “patriot” shqiptar, që përdor teknologjinë e “Fake News” për të larë hesapet me ata që ka probleme. Dhe asnjë media serioze në Shqipëri, nuk e mori të mirëqënë.
Biles dje pati dhe përpjekje për ta zbardhur spekulimin me gazetën greke, e cila në fakt nuk ka përmendur asnjë emër.
Historia e fondeve sekrete të Greqisë për rajonin është politikë e tyre dhe në Shqipëri është shumë e verifikueshme se kush ka fituar prej tyre, përfshi për një kohë të hershme dhe shtypin shqiptar, por kjo nuk ka lidhje me këtë sajesë të ditëve të fundit.
Vetë Eni Vasili kishte bërë një sqarim formal, që e hidhte poshtë, dhe mendoj se nuk ka çfarë të bëjë tjetër më shumë se aq, para një akuze absurde.
Por në mbrëmje, pasi kishte kaluar telashet e ditës, si e akuzuar që është paguar nga Greqia, Eni Vasili dëgjonte me sy të hapur më shumë se zakonisht dhe gati në ekstazë, Sali Berishën, duke thënë se kolegu i saj ishte paguar 40 mijë euro nga Bajrat në Shkodër, dhe për këtë shpifësi i referohej “popullit”.
Eni Vasili nuk e hapi gojën, por vetëm sa zmadhoi sytë nga kënaqësia. Asnjë pyetje shtesë, asnjë kërkesë formale për burim, asnjë grimasë që të dëshmonte kundërshtinë e saj, asnjë përpjekje për të qenë gazetare, por thjesht si një e magjepsur pas broçkullave të një plaku të lig, që gjithë jetën e tij ka dhunuar gazetarë dhe vazhdon ta bëjë për këdo që i vë gishtin në plagë.
Nuk është e nevojshme të mbroj Artan Hoxhën në këtë rast, pasi ai vjetërsira që e akuzoi, e bën këtë me këdo që ka probleme personale.
Por Eni Vasili ka nevojë të mbrojë veten. Ajo nuk mund të përdorë dy standardte. Nëse në rastin e akuzës ndaj saj, mbrohet duke thënë se nuk është e vërtetë që është financuar nga Greqia, pasi lajmet janë broçkulla të prodhuara nga sharlatanë. Dhe ne i japim të drejtë.
Kurse kur në studion e saj, ajo fton një kryesharlatan, që akuzon kolegun e saj me qetësi, se ka marrë 40 mijë euro për intervistën me një mafioz, pa as më të voglën përpjekje për të dhënë qoftë dhe një provë, atëhere ajo duhet të zgjedhë nëse është viktimë e lajmeve të rreme, apo prodhuese e tyre.
Me kriterin që Berisha prodhon lajmet para fytyrës në ekstazë të Eni Vasilit, ne mund të themi lirshëm që Eni Vasili është financuar nga grekët, ka marrë fonde të dyshimta nga qeveria “Rama” në emër të një shoqate fantazëm, ka qenë përdorur nga mafia e naftës së Rezart Taçit dhe është paguar për të mbuluar korrupsionin e tij, e çfarë të na vijë në mendje për jetën e saj. Për fat, nuk e ka bërë askush, pasi është minimalisht, ose më i përgjegjshëm se Eni Vasili në gazetari, ose më pak partizane se ajo, ngaqë nuk them dot, jo aq budallaqe sa ajo.
Por të ankohesh gjithë ditën se të akuzojnë kot si e paguar nga Greqia dhe në darkë të bësh të njëjtën gjë kundër një kolegut tënd, vetëm që mos të prishësh magjinë që të kap nga surrati i një prej shpifësve më të mëdhenj të këtij vendi, tregon se ke probleme të rënda me personalitetin. Fiks identikiti i personalitetit, që i duhet fondeve sekrete fqinje, për të investuar. Por shyqyr që se kanë pikasur më parë.
(E.K/FAXWEB.AL)