Skuadrës së Murinjos iu nevojit humbja e djeshme e Arsenalit si dhe fitorja 3-1 sot ndaj Midëllsbrou që të ngjitej në vendin e 5-të, për të braktisur vendin që mbante që nga tetori.
Protagonistët e lëvizjes së suksesshme nuk ishin emrat e zakonshëm, përkundrazi.
Avantazhi erdhi falë Fellainit, një emër i cili përmendet ndër ‘spastrimet” e planifikuara nga Murinjo në verë, ashtu si Lingard që dyfishoi shifrat në minutën e 62-të.
Midëllsbrou hapi ndeshjen kur mbetej më pak se çerek ore lojë më anë të Gested.
Por goli i Valencia në minutën e 93-të pas gafës së Valdes mbylli çdo diskutim duke i dhënë suksesin 3-1 dhe tre pikë shumë të vyera Mançester Junajtid që tani ka shanse reale të luftojë përsëri për zonën e Ligës së Kampioneve. (M.D/ Shuplaka)