Burime bëjnë me dije për Fax News se dy spitalet Covid, ai i Infektivit dhe Covid 3 nuk do të lejojnë më ushqime që futen nga jashtë për pacientët e shtruar në pavion.
Që prej ditës së djeshme, familjarët thonë se janë njoftuar që brenda nuk mund të fusin asgjë për të afërmit e tyre, dhe mund ti çojnë vetëm rroba që iu duhen për t’u ndërruar.
“Ne nuk flasim dot me atë që është brenda, i dërgova disa rroba, kemi gati dy orë që presim këtu dhe ende nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje. Vetëm rroba na thanë që do fusim brenda, se ushqim e ujë kemi. Nuk kemi folur dot në telefon me të afërmin që është brenda, 4 katër ditë shtruar”, shprehet një prej familjarëve që ndodhet në pritje përpara Covid 3.
Një tjetër qytetare, e cila ka të shtruar burrin e saj thotë se po pret të fusë rroba të reja në spital, por që nuk ka kontakt me familjarin e saj.
Vendimi për heqjen e ushqimit duket se është marrë për të shmangur radhët e gjata që krijohen në oborret e spitaleve Covid, ndërkohë që pacientët tani e tutje do të jenë të detyruar që të hanë vetëm ushqimin që përgatitet në ambientet e spitalit.
(E.K/Faxweb.al)