Nga Enton Abilekaj:
Qeveria teknike nuk ka garantuar zgjedhje të lira. Është provuar në 1992. Qeveria e Vilson Ahmetit, nuk arriti dot të merrte në kontroll situatën dhe të garantonte zgjedhjet. Jo për fajin e saj, partitë e nxitën më shumë kaosin, policia nuk kishte arsye t’i bindej një qeverie të përkohshme dhe gjithë institucionet me radhë, sfiduan autoritetin që nuk e mbështeste asnjë forcë. Zgjedhjet e 22 marsit 1992 megjithatë ishin historike. Rrëzuan sistemin. Por u bënë në kushtet e kaosit.
As qeveria e Pajtimit Kombëtar, që ishte politike, nuk arriti dot të vinte vendin nën kontroll. Kishte më shumë arsye. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997 u kontestuan në radhë të parë nga pretendenti për Fronin Mbretëror që humbi referendumin, por edhe nga PD që sapo doli në opozitë. Prodhimi I atyre zgjedhjeve u quajt “parlamenti I kallashnikovëve”.
Përveç të shkuarës, qeverinë teknike për zgjedhjet, e kundërshton edhe e ardhmja. Precedenti që krijohet, mund të krijojë situate të ngjashme edhe para zgjedhjeve të 2021 e kështu me radhë. Pas zgjedhjeve nuk të mbajë askush përgjegjësi, nëse dështojnë. Ministrat e Brendshëm harrohen, përgjegjësia mbetet jetime, rezultati I paravendosur në tavolinë. Kaosi që shoqëron zgjedhje të tilla, kërkon marrëveshje politike që tejkalon vullnetin e shprehur në kuti.
Ky skenar nuk do të merrej në konsideratë në një situatë normale. Qeveria që ka marrë mandatin në 2013, ka të përfshirë në të edhe organizimin e zgjedhjeve të radhës, edhe përgjegjësinë për një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë që të nxjerrë një rezultat të pastër. Rama është angazhuar për një proces zgjedhor të shkëlqyer. Në daljen e fundit, duke deklaruar qëndresën, u angazhua për procesin më të mirë të 25 viteve. Dhe do të kishte të drejtë nëse nuk do të ishte provuar në Dibër dhe në Kolonjë.
Pesëfishimi I rezultatit në Dibër, pas skandalit të Shukriut, evidentoi emergjencën për zgjedhjet e përgjithshme. Shkëmbimi i votave me fara hashashi, me leje për mbjellje apo me para të thata, bashkë me viktimat e dekriminalizimit në aksion, ishin elementët e shfaqjes që do të vihej në skenë edhe në 18 qershor. Një proces zgjedhor I mbyllur përpara votimit. Nuk mund ta shmangte votimi elektronik. Vetëm do ta certifikonte. Rezultati do të ishte edhe një herë I paravendosur.
Me zgjedhjet e Dibrës dhe Kolonjës, Rama tregoi si di t’i organizojë zgjedhjet. Të qeta, pa probleme në votim, në numërim, por krejtësisht të korruptuara dhe të manipuluara. Blerja e votës u denoncua nga opozita që pas zgjedhjeve vendore në 2015. Atëherë dukej si justifikim. Pas zgjedhjeve të Dibrës, dhe Kolonjës u kuptua që zgjedhjet janë kapur.
Aksioni mediatik i qeverisë e shtoi frikën. Në massmediat e kapura nga Rama, hapësira e opozitës do të ishte aq sa I duhet fasadës demokratike. Vendi do rrëshqiste në autoritarizëm, zgjedhjet do të ishin formalitet. Situata do të ngjante me atë të pas 26 majit 1996, që solli kaosin dhe rebelimin e vitit ’97.
Kaosi është i pashmangshëm në të dyja rastet. Përgjegjësia për këtë bie mbi Edi Ramën. Ai që premtoi në 2013 që do të ndërtonte dialog me opozitën, që do të demokratizonte ambientin politik, që do të garantonte në fund të mandatit zgjedje të lira, sot rrezikon të na çojë në zgjedhje pa opozitën. Pavarësisht çfarë përfaqëson, pavarësisht përgjegjësisë shumëvjeçare në prishjen e zgjedhjeve dhe ushqyerjen e mosbesimit, sot opozita gjendet në bulevard, me dyshime dhe akuza të mbledhura nga shtëpitë e shqiptarëve.
Organizimi I zgjedhjeve nga një qeveri teknike, në këto kushte, duket varianti më pak I keq. PD dhe PS janë përballë në bulevard, me dy zgjidhje që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Basha dhe Rama shohin nga Ilir Meta për një zgjidhje paqësore. A do të ketë zgjedhje pa opozitën, apo qeveri teknike? A do të marrë pjesë Rama nëse realizohet qeveria teknike? A I ka 71 votat qeveria teknike pa Rilindjen? Çfarë do të ndodhë me Reformën në Drejtësi nëse ndodhin këto ndryshime? Si do të mbahen larg zgjedhjeve elementët kriminalë, si do të votohet dhe numërohet pa shkelje nga komisionarët-militantë? Këto pyetje do të marrin përgjigje në atë hapësirë të vogël në bulevard, kur janë mbledhur tashmë tre palët kryesore. Pritja do të mbarojë kur Ilir Meta të marrë një vendim