Largimet e shqiptarëve për një jetë më të mirë jashtë vendit nuk janë të pakta. Nuk janë të paktë të rinjtë që duan të largohen dhe me mundësinë e parë që iu vjen nuk e mendojnë dy herë qëndrimin në Shqipëri.
Por së fundmi edhe një shef i rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës do të braktisë vendin për SHBA-në. Sipas DW Orest Çipa, 29 vjeҫ, është shef i Sektorit të Koordinimit të 24 Njësive Administrative, që ka Bashkia e Tiranës, më e madhja në Shqipëri, me më shumë se 757 mijë banorë. Në ditët e para të janarit ai do të merret në intervistë nga Zyra për Çështjet Konsullore në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pasi ka fituar aplikimin në Llotarinë Amerikane për të jetuar dhe punuar legalisht në SHBA. Amerikën ai e sheh si vendin e arritjeve dhe jetesës shumë të mirë.
“Në Bashkinë e Tiranës ka hapësira të mëdha për t’u rritur profesionalisht, për të pasuruar përvojat. Puna në Bashki më jep mundësi të njoh mirë problemet që kanë qytetarët dhe parë nga afër sesi funksionojnë gjërat në realitet. Të punosh në Bashkinë e Tiranës është një mundësi e shkëlqyer”. thotë për DW, Orest Çipa.
Por ai po përpiqet ta lërë këtë mundësi, edhe pse vetë e quan të shkëlqyer, për të shkuar drejt të panjohurës, ëndrrës amerikane. I arsimuar në universitetin e Tiranës për gazetari, ai ka kryer një master 3 vjeçar për Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Shangait, me përvoja të mira pune brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka krijuar familjen e tij, është prind i një vajze të vogël. Megjithatë ai nuk ndihet i plotësuar në Tiranë. Gotën e tij në Shqipëri e sheh gjysëm bosh. Nuk do të qëndrojë në këtë vend.
“Ka shumë faktorë që më bënë të aplikoj për të fituar Llotarinë Amerikane dhe u larguar nga Shqipëria. Janë faktorë ekonomikë por edhe të tjerë që nuk kanë të bëjnë me ekonominë. Ka një zhvillim të ngadalshëm shoqëror, emancipues, demokratizues. Psh ndjej një rënie të peshës, fuqisë së qytetarëve që i kërkojnë llogari qeverisjes dhe duan një rol më të madh. Ende indeksi i korrupsionit është goxha i lartë, ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor. Këtu ndodh që edhe raportin e invaliditetit, kur je invalid, duhet ta marrësh me mik. Dihet që sa më i lartë korrupsioni, aq më e lartë përqindja e njerëzve të arsimuar që kërkojnë të largohen. Korrupsioni fiton terren në kurriz të ndertimit të një shoqërie të bazuar në merita. Ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me jetën e përditshme, thotë Orest Çipa për DW.
Kur Orest Çipa dhe shumë të tjerë si ai duan të largohen jashtë vendit, që kanë një punë dhe një karrierë imagjinoni studentët, të sapodiplomuarit, mijëra të tij të tjerë që nuk gjejnë shpresën në Shqipëri sesa shumë duan të largohen. (J.V/Faxweb)