“Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave”, është shprehur Hans-Joachim Falenski, kryekëshilltari për Politikën e Jashtme në CDU-CSU.
Anëtari i Bundestagut gjerman, ku edhe janë miratuar 79 kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë ka dhënë një mesazh të fortë për vendin në lidhje me çeljen e negociatave.
Mesazhi i tij erdhi pasi presidenti Meta i akordoi Falenskit titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Gjatë fjalës së tij Falenski tha se një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues.
Falenski gjithashtu shtoi se të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme.
Fjala e plotë:
Është një nder i madh të marr këtë medalje të rëndësishme si këshilltar politik në një vend të huaj. Kjo dekoratë më dorëzohet këtu në Shqipëri – vendi i huaj që është më afër zemrës time për shkak të njerëzve të mrekullueshëm që kam takuar këtu, me të cilët kam folur dhe me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Në të njëjtën kohë, zoti President, ju po më jepni gjithashtu detyrën e madhe të vazhdoj punën time në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, në mënyrë që vendi juaj të plotësojë kushtet për hapjen e fazës dhe kapitujve të parë të negociatave për zgjerimit. Por, kjo kërkon më shumë sundim të ligjit, por edhe më shumë, për shembull, liri të mediave. Jemi të shqetësuar edhe për lirinë e mediave, e cila me miratimin e paketës së re po bën hapa prapa dhe duke krijuar një precedent shqetësues mbi përpjekjen për të neutralizuar zërat e medias. Bundestag-u po ndjek gjithashtu diskutimet për një paketë të re ligjesh që janë diskutuar gjerësisht këtu dhe disa dekrete të Presidentit që i konsiderojnë këto ligje si jokushtetuese. Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj.
Kjo është ideja dhe bindja politike pas 9 kushteve të Bundestag-ut. Ne shpresojmë që tashmë gjërat të jenë në rrugën e përmirësimit të situatës. Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare.
E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun. Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm. Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me papërjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm. Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi kushtetutën. Nëse nenet përkatëse të kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën? Parakushti i dytë është siç tashmë ju e dini: duhet të adaptohet një reformë zgjedhore. Ligji i ri duhet të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e ODIHR.
Dhe reforma e re duhet të sigurojë që financimi i partive politike dhe fushatave elektorale të jetë transparente. Ne e mirëpresim shumë faktin që procesi i hartimit tashmë zhvillohet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës që përfshin të gjitha forcat politike. Kjo u kërkua nga Bundestag-u bazuar në rekomandimet e raportit të ODIHR të shtatorit të vitit të kaluar. Ne shpresojmë që kjo të jetë një shenjë e mirë që për të gjitha palët e ardhmja e vendit të jetë përparësi kryesore dhe jo një përllogaritje për përfitime politike.