Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste ka publikuar ditën e sotme një mesazh të koduar në rrjetin e tij social Facebook.
Duke ju referuar klipit “Me jetu” të këngëtarit Vlashent Sata, ish-ministri socialist shkruan ndër të tjera se kjo mendje artistike “na fton të nisim me jetu, të bashkuar e me dinjitet, duke i dhënë fund rrethit vicioz të tranzicionit e fenomeneve negative të tij!”
Një mesazh ky i qartë për kryeministrin Edi Rama, i cili pak ditë më parë e shkarkoi nga funksioni i të deleguarit politik në Qarkun e Shkodrës.
“ME JETU: Vlashent Satën, artistin shkodran që jeton në #Paris, e kam njohur falë bashkëpunimit që kemi pasur për Festivalin tanimë të përvitshëm ‘Za Fest’ që organizohet në #Theth, #Shkodër. Përveç muzikës që krijon, Vlashenti me këngën e re ‘Me jetu’ shfaqet edhe si një qytetar i angazhuar në interes të fateve të atdheut, i shqetësuar për fenomenet negative që e kanë shoqëruar tranzicionin tonë të stërgjatë. Një mëndje artistike që na fton të nisim me jetu, të bashkuar e me dinjitet, duke i dhënë fund rrethit vicioz të tranzicionit e fenomeneve negative të tij! Vlashent ? Suksese me ‘Za Fest’ këtë vit!”- shkruan ish-ministri.
Kujtojmë se pasi kryeministri e shkarkoi, Bushati u shpreh se “Te jeni te qetë do të ketë komunikime të mëtejshme. Nuk ka rendësi jam me post apo jo, por për çfarë çështjesh luftoj. Mungesa e postit më bën të jem edhe më i vendosur për të çuar përpara projektet për të cilat jam angazhuar”.