Ata janë padyshim dy nga futbollistët më të mirë në botë, dhe pavarësisht se janë kundërshtarë asnjëherë nuk i kanë kursyer fjalët më të mira për njëri-tjetrin.
Leo Messi, në një intervistë për ESPN, ka lavdëruar Cristiano Ronaldon duke thënë se ai përmirësohet vit pas viti.
“Rivaliteti ynë është diçka më shumë e mediave. Këtë e kam thënë gjithmonë, ashtu siç e ka thënë edhe ai. Secili prej nesh mundohet të japë maksimumin. Cristiano është një lojtar i madh, me shumë cilësi dhe që përmirësohet vit pas viti. Për këtë arsye është një nga më të mirët në botë”, tha ylli argjentinas i Barcelonës.
Në intervistë, Messi foli edhe për rinovimin e kontratës së tij, që pritet të firmoset në ditët në vazhdim dhe që do e lidhë sulmuesin me klubin katalanas deri në vitin 2022.
“Gjithmonë kam ëndërruar që ta mbyll karrierën te Barcelona. Të shohim”, deklaroi Messi. (E.K/SHUPLAKA)