Nga Ndriçim Mehmeti
Jo për rutinë por për ndjeshmëri të profesionit me të cilin kemi lidhur jetën, për dashurinë që nuk na ka munguar asnjëherë për mësuesit tanë, ndihem i detyruar të shkruaj disa radhë të trishtuara në ditën më të bukur për arsimin, në 7 mars. Kjo është dita kur rilindësit e shek. XVIII-XIX, me shumë mund e djersë, hapën të parën shkollë shqipe legale në Korçë, ku filloi të mësohej gjuha jonë e mrekullueshme. Kjo është dita kur të gjithë përkulemi me respekt para mësuesve tanë. Kjo është dita që kujtojmë sakrificën, gjakun e derdhur, shumë orë pune, libra të shtypur me shumë mundim në diasporë e që më pas dërgoheshin në Shqipërinë e varfër për të mësuar bijtë dhe bijat e saj. Kjo është koha kur nderi dhe lavdia i takon atyre që vlerësojnë punën e mësuesit, e respektojnë atë, i japin vendin që i takon dhe jo ta denigrojnë e mallkojnë.
Duke perifrazuar fjalët e Pashko Vasës, lind me të drejtë pyetja: Po tani mësues i dashtun si je?
Më keq se një lis i rrëzuem përdhe. Mësuesi, lisi që dikur lulëzonte e lartohej prej mençurisë, ushqimit të përditshëm që merrte prej librave të lexuem, frytet që nuk mungonin nga përgatita e vocërrakëve, vajzave e djelmoshave, lëngon e shkërmoqet përditë. Në trupin të tij dallohen lehtësisht gjurmët e goditjes me sëpata, gozhdë, thika, sqepar e çdo lloj mjeti tjetër prerës, me qëllimin e vetëm: Ta copëtojmë sa më parë e mos ta lemë të përtërihet më kurrë. Tani, dija është kthyer në përçmim. Mësuesi, trajtohet si një bari që ka kërrabë, por nuk as tufë dhe nuk di t’u bie fyellit. Mësuesi është lisi që jo vetëm do shkulur e rrëzuar, por duhet bërë gjithçka mundemi që ta trajtojmë si një shkurre të tharë, pa kurrfarë rëndësie mes shoqërisë dhe mjedisit që e rrethon. E si mund ta kryejmë këtë detyrë. Përmes një propagande pa denigrimi, depersonalizimi fyerje e gjithçka e zezë që na vjen në mend. “Mësues pa shkollë, pa arsim përkatës, mësuesit janë matrapazë, rrahin fëmijët, barbar, pedofilë, imoralë, maniak seksual etj”. Qeveria e ka gjetur të keqen që nuk e le të ec përpara dhe madje ka helmuar edhe shoqërinë, duke e bërë të besoj se “pas gjyqtarëve të poshtër e të korruptuar” të dytët në radhë janë mësuesit. “Ata janë të paaftë, nuk dinë metodat bashkëkohore, nuk gjetëm mësues por militantë partie, bënin kurse private në shkollë”, e dokrra të tilla që përsëriten vit pas viti. Por kur i pyet këta arrogantë, teveqel, dallkaukë, e zyrtaruc që nga kryeministër, ministër, drejtor e këshilltarë: Cili është arsimi që keni ju vetë? Ata përgjigjen me plot gojën dhe pa pikë turpi: Shkolla më e madhe që kemi në jetë është shkolla e Edi Ramës. Pra ministër i mirë, është ai që ka ndenjur me Edi Ramën ose ka nderur kokën në gjoksin e tij. Kështu mund të bëhesh edhe mësues i mirë. Të nderësh kokën në prehrin e partisë. Rilindasit e rinj “që i duan kaq shumë mësuesit”, në këto tre vjet nuk u kujtuan asnjëherë, të çonin së paku një propozim Presidenti i Republikës, po vetëm një mësues, që të dekorohej për punën që ka bërë. Nuk ka rëndësi nëse është aktiv, apo në pension, por do të mjaftonte që mësuesit të ndiheshin të respektuar në shoqërinë e sotme demokratike si dikur. As vetë Presidenti i Republikës nuk e ka bërë një veprim të tillë për një mësues apo veprimtar të arsimit, gjuhës dhe kulturës kombëtare në diasporë.
Po përse duhen sulmuar në mënyrë kaq të paskrupullt mësuesit?
Sepse rilindësit e rinj duan t’i japin një mesazh të qartë shoqërisë: Kur e vëmë përfund mësuesin ikonën e një shoqërie të përparuar, për të tjerët as që nuk pyesim fare. Përse mësuesit janë e vetmja kategori që në katër vjet nuk kanë pasur asnjë rritje rroge, as një shpërblim? Thjesht për të kuptua se ata duhet të jenë shërbëtorë të partisë dhe të rrinë urtë, se mund t’i lemë edhe pa bukë. Përse mësuesit preferohen gjithnjë e më pak si anëtar të këshillit bashkiak, si zyrtar në pushtetin vendor e aq më pak si deputetë? Sepse zëri i pavarur dhe i dalë së brendshmi nga bindja dhe ndërgjegjja e tyre, nuk i bën kollaj ushtarë partie. Po do thoni ju: Ne kemi të paktën tre ministra në qeveri që kanë diplomë mësuesi. Po por ata janë vënë në poste që vetë nuk e dinë përse janë dhe çfarë bëjnë. Ushtarë të tillë gjen sa të duash. E aq më shumë prej atyre, që dëshira, pasioni, idealizmi që të jep profesioni i mësuesit është harruar prej vitesh ose nuk është ushtruar asnjëherë në jetën e tyre. Prandaj të tillë mësues,janë më të preferuarit: Nuk të hapin punë, të thonë faleminderit që hynë në histori si drejtues të institucioneve qendrore më në zë të kësaj Shqipëri të gjorë dhe të thonë aferim se hodhën shapkën në sy e i thanë fukarallëkut tutje. Shumë mësues nuk do ta pranonin kurrë të rrinin në një karrige e të numëronin lekët prej fitimeve që vijnë nga tenderat periodikë, nga tekstet shkollore, marrëveshjet, koncesionet, legalizimet, përfitimet e truallit të ndërtimit në mënyrë të padrejtë, por raca e mësuesve ministër i pranon me shumë qejf këto përfitime. Madje këta të fundit me në krye mësuesin e vizatimit, janë armiqtë më të mëdhenj të arsimit dhe mësuesve në veçanti.
A është mësuesia sot një profesion i veshur nga idealizmi, ndjenja e përgjegjësisë, humanizmit, dëshirës për më të mirën, apo thjesht një mundësi për të ngrënë një copë bukë?
Druhem se është kjo e dyta. Mësuesit është e vështirë t’i gjesh të qetë kur i takon, biseda mes tyre acarohet sa herë që përmendet shkolla, drejtor, planet, kompetencat, inspektimet e trajnimet amorfe, kanë kthyer në një hall, stres e problem më vete. Nëse i pyet tani mësuesit që janë në sistem, nëse do të zgjidhnin këtë profesion, vështirë se shumica prej tyre do të thoshte po. Nëse i pyet se sa kënaqësi është për ta të shkosh e të japësh mësim në x apo y shkollë, të përgjigjen: “Shkoj për atë rrogë dhe se nuk kam ku të përplas kokën”. Nëse e kemi katandisur mësuesin në këtë pikë, dihet fare mirë se cila do të jetë e ardhmja e vendit tonë. Kur mendojmë se e kemi nderuar mësuesin, duke e sjellë në Pallatin e Kongreseve e i flasim më shumë se një orë, hedhim valle e bëjmë selfie, xhirojmë video e i shpërndajmë në rrjete sociale, me aq bujë a thua se kemi bërë sevap, kjo është më shumë se ulëritëse. Unë e di që këtë 7 mars, kryeministri dhe mëkëmbësja e tij në ministrinë e arsimit, këshilltarët e njerëzit me xhelatin, do të buzëqeshin shtirshim, do të duartrokasin e mbajnë fjalime pompoze, për mësuesin, për rolin që i ka dhënë qeveria sot, për ngritjen e konsiderueshme të rrogës, por në asnjë fjalë të tyre, nuk do të përmendet dinjiteti i nëpërkëmbur i mësuesit. Prandaj dëgjojini, dhënë Zoti për të fundit herë, mos i merrni seriozisht, mos i duartrokisni, përbuzini.
President, kryeministër, ministër, deputet mund të bëhesh shumë lehtë e pa mundime, mësues i mirë do një jetë që të bëhesh dhe mbetesh përjetë kujtimi më i mirë i nxënësve dhe shoqërisë ku ke shërbyer.
*Marrë nga Gazeta Standart