Dhuna ndaj mësuese në Lezhë ishte tema e sotme me dy të ftuarit në Fax News. Psikologia Elona Mustafaraj dhe studenti Gevio Tabaku analizuan për gazetarin Egon Loli dhunën dhe agresivitetin e shtuar në shkolla. Gjithashtu ata dhanë dhe mendimin e tyre se si këto situata mund të shmangen në të ardhmen.
Për psikologen jetojmë në një shoqëri ku agresiviteti është shtuar dhe kjo në moshat e reja. Kjo vjen edhe nga edukimi pasi përdoret presioni dhe dhuna për të edukuar fëmijën. Gjithashtu ndikim negativ kanë edhe përdorimi i shtuar i substancave narkotike te këto mosha.
Elona Mustafaraj: Po flasim për një shoqëri ku kemi një nivel të shtuar të agresivitetit aq më tepër kjo në moshat e reja. Vazhdojmë mbetemi një shoqëri që transmetojmë dhunën për të edukuar. Mund të jetë një formë presioni shtuar për të përfituar sjellje të caktuara ose për të marrë rezultate të caktuara. Ne vazhdojmë bëjmë presion për të edukuar që dhe kjo është e gabuar. Kemi mungesa të vëmendjes të prindërve ose të institucionit të familjes në çështjet e edukimit dhe menaxhimit të agresivitetit. Kemi përdorimet e substancave në shumë raste, sikundër mund të jetë ndikimi i ngjarjeve ose i skenave të cilat të rinjtë përpiqen t’i imitojnë nga rrjetet sociale apo evente të ndryshme.
Studenti Tabaku paraqiti disa shifra për nivelin e dhunës në shkolla, ku vitin e shkuar kishim 2306 raste dhune në shkolla pjesa më e madhe e kryer nga nxënësit. Por sipas tij në disa raste kanë faj edhe mësuesit pasi nuk përdorin mënyrat e duhura për t’iu përqasur situatave.
Gevio Tabaku: Në vitin e kaluar në 2022-2023 ka pasur 2306 raste dhune në shkolla që është një shifër shumë e lartë. Nga kjo shifër 2306, 140 raste janë bërë nga mësuesit dhe 2160 nga nxënësit. E kemi problemin tek të dyja palët. Nuk është problemi vetëm tek nxënësi. Nuk mund të justifikoj veprimin e dhunshëm që ka bërë nxënësi tek shkolla e Lezhës. Them që edhe mësuesit ndonjëherë nuk përdorin mënyrat e duhura për t’iu përqasur situatave edhe e kalojnë cakun.
Psikologia Mustafaraj shton se ne duhet të mendojmë tani e tutje sesi këto raste të mos përsëriten më, duke qenë të kujdesshëm në mesazhet që përcjellim.
Elona Mustafaraj: Çfarë do të bëjmë ne si shoqëri që kjo ngjarje të mos përsëritet nesër? Sepse do të kemi nxënës në një tjetër gjimnaz, një mësues në një tjetër gjimnaz, një staf mbështetës apo ndihmës që mund të jetë pjesë e një sjelljeje të dhunës. Mendoj se pjesa më e rëndësishme përpara se të gjemë dhe të adresojmë fajtorët, është se si mund të ndihmojmë këta nxënës si mund t’i ndihmojmë këta prindër që nesër të mos kemi më situata të tilla. Duke gjetur këtë zgjidhje ne ndihmojmë shoqërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe në ato mesazhe që transmetojmë ne si të rritur.
Tabaku e mbyll duke thënë se nevojitet një reformë edukimi, pasi kjo është një gjë e madhe për një fëmijë.
Gevio Tabaku: Mendoj se është problem edhe i kulturës që në disa raste i përçohet fëmijës. Është problem patjetër i institucioneve që shpeshherë nuk bëjnë punën e vetë. Edhe mësuesit ka raste pafund që tregojnë agresivitet ndaj nxënësve. Prandaj them reformë, sepse duhen mbledhur gjithë këto problemet e mëdha që kemi, të vihen një nga një të shihen si mund t’i ndryshojmë. Se edukimi për 1 nxënës është një gjë shumë e madhe. Nuk duhet ta shohim në një situatë kaq të vogël të mos reagojmë. Është gjë e madhe, është e gjithë mendësia që ai do kontribuojë gjithë jetën e tij.