Zbardhet dëshmia e mësueses Fatime Vata, e cila dy ditë më parë u denoncua me video në emisionin investigativ “Stop” teksa dhunonte nxënësit e klasës së parë.
Lidhur me këtë ngjarje që tronditi opinionin publik dhe denoncimeve të prindërve të fëmijëve, dje mësuesja u shoqërua në polici.
Në një gjendje të rënduar psikologjike, Fatime Vata ka shprehur pendesë për ngjarjen.
“Jam shumë e penduar për atë që kam bërë. Ishte një moment që nuk ndjehesha mirë. Nuk ka për të ndodhur më kurrë. Kur pashë pamjet që u shfaqën në televizor u bëra shumë keq. Ju lutem më falni. Ju kërkoj falje edhe prindërve që u kam shkaktuar këtë tronditje. Edhe për mua ishte shumë e rëndë kur e pashë se çfarë kisha bërë dhe si isha sjellë me nxënësit”, mësohet të ketë thënë mësuesja.
Ndaj saj nuk do të ketë procedim penal, ndërsa pas deklarimit në polici ajo është lënë e lirë.
Video u filmua nga një fëmijë i kësaj klase në shkollën “Skënder Luarasi” në Tiranë. (A.R/SHUPLAKA)