Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj, i cili ka qenë dhe një mik i afërt i tij. Meta shprehet se sot humbi një mik të vjetër me të cilin ka bashkëpunuar për tre dekada dhe se lajmi i sotëm trishton edhe të gjithë botën e sportit, pasi Beqiraj ka qenë peshëngritës.
Reagimi i presidentit Meta: Me trishtim të thellë mësova lajmin e pabesueshëm të ndarjes nga jeta të Akademikut, Profesorit dhe mikut tim Gudar Beqiraj. Një lajm që trishton të gjithë botën akademike, kolegët e tij të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të shkencave të natyrës, të informatikës dhe të të gjithë universiteteve, me të cilët punoi dhe bashkëpunoi për një kohë të gjatë me shumë profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë.
Lajmi i sotëm trishton edhe botën e sportit, veçanërisht atë të peshëngritjes, me të cilin ishte i lidhur që në rininë e tij të hershme dhe për të cilin vazhdoi deri në frymën e fundit të kontribuojë pa u lodhur. Ai kontribuoi për modernizimin e këtij sporti dhe arritjet e jashtëzakonshme nëpërmjet metodave të reja dhe frymës inkurajuese për të rinjtë duke u bërë një shembull dhe model në promovimin e miqësisë dhe solidaritetit olimpik, edhe në nivel ndërkombëtar.
Edhe unë humba sot një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tre dekada kam bashkëpunuar duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të të mirës së përgjithshme. Ngushëllimet e mija të thella dhe të sinqerta familjes, bashkëshortes Afërditës, vajzës dhe të gjithë të dashurve, të afërmve dhe miqve të tij.
Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë. Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali. Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 2003 i akoedohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.
Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekoslovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).
Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj.
Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qënë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA. Në vitet 2007-2009 Dekan i Fakultetit të Teknoligjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës së Doktoratës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Ka një përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të. Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore.
Në 1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. 1996-2000 Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. 1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania. 2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”.
2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer. 2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës, 2016 Medalje e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes. (E.K/Faxweb.al)