Presidenti i vendit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama janë takuar sot së bashku, për herë të parë që nga nisja e pandemisë, ndërkohë që nuk ka munguar asnjë një përshëndetje brryl më brryl mes tyre.
Rama dhe Meta do të jenë sot të pranishëm në Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahet mbledhja e zgjeruar e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Ndërkohë në sfond duket dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili shihet po ashtu i lumtur nga ky takim që ndodh pas shumë kohësh.
Mbledhja e Këshillit të Integrimit është duke u drejtuar nga deputetja Rudina Hajdari, ndërsa në panelin e parë do të mbajnë fjalë edhe kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Fjalën përmbyllëse do të mbajë fjalë Taulant Balla, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Takimi vjen në një moment kur palët në Shqipëri arritën marrëveshjen për reformën zgjedhore, ndërsa Komisioni Europian pritet që të publikojë kornizën e punës për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. (E.K/Faxweb.al)