Presidenti Meta në një intervistë për ‘Fax News’ me gazetarin Bledian Koka është pyetur ndër të tjera edhe për marrëdhënien me kryeministrin Rama.
Meta u shpreh se me Ramën ka marrëdhënie institucionale ashtu si me drejtues të tjerë institucionesh.
Duke iu referuar bisedimeve me Greqinë për kufirin detar, Meta tha se takimi me Ramën për këtë çështje ka qenë konstruktiv ku rama është pajtuar me qëndrimet e tij.
Intervista:
Koka: Zoti Presidenti, raportet tuaja me Kryeministrin Rama njohën padiskutim pikën e tyre më të ulët gjatë fushatës zgjedhore të viti të kaluar, kur edhe pse ishit zgjedhur ndërkohë në postin e Presidentit të Republikës, vendosët të mbanit postin e kryetarit të LSI-së deri në përfundim të zgjedhjeve. Cilat janë raportet aktuale me Kryeministrin Rama? Me aq sa dimë, keni pasur vetëm dy takime: takimi i parë për emërimin e shefit të ri të SHISH, z. Bendo dhe takimi i dytë ishte ai që solli edhe PO-në tuaj për fillimin e negociatave me Greqinë për çështjen e detit…
Presidenti Meta: Takimet e mia janë institucionale, si me Kryeministrin, si me ministrat apo me drejtues të institucioneve të ndryshme dhe i konsideroj si marrëdhënie normale, marrëdhënie pune.
Koka: A ju ka detyruar Kryeministri Rama që të jepnit plotfuqishmërinë tuaj për grupin që do të negociojë me Greqinë çështjen e detit? Po i referohem takimit tuaj të fundit që keni pasur me z. Rama…
Presidenti Meta: Mendoj se takimi për këtë çështje ka qenë mjaft konstruktiv dhe Kryeministri është pajtuar me të gjitha qëndrimet e mia përsa i takon mënyrës se si duhet të zhvillohen këto negociata gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Koka: Mandati juaj si President dhe mandati i qeverisë Rama 2 ka kohëzgjatje të njëjtë. A keni bërë ju një vlerësim për mënyrën se si po qeveriset aktualisht vendi z. President? A jeni i kënaqur?
Presidenti Meta: Mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë për mirëqeverisjen e vendit dhe në këtë drejtim mendoj që vlerësimin e bëjnë qytetarët. Për mua si President është e rëndësishme të bashkëpunoj me qeverinë dhe të jap të gjithë mbështetjen time për gjithçka të mirë që realizohet dhe që ndihmon vendin.
Koka: Meqë thoni se vlerësimet i bëjnë qytetarët, ju si qytetar i parë i Republikës së Shqipërisë, në çfarë drejtimi mendoni se qeveria shqiptare nuk po performon si duhet dhe nga ana tjetër, duke përdorur edhe fuqinë si President do t’i bënit thirrje të fokusohej akoma më tepër? Mendoni që ekonomia shqiptare është më e fortë dhe ka pësuar rritje? Ka një shqetësim për praktikat e Bankës së Shqipërisë për de-eurizimin e ekonomisë dhe zhvlerësimin e monedhës euro. A janë këto shqetësime që mund të krijojnë situata të pakëndshme në të ardhmen?
Presidenti Meta: Unë mendoj që qeveria por edhe të gjithë aktorët e tjerë i ndjekin këto çështje në vijimësi dhe çdo ndjeshmëri për një problematikë në rritje në të ardhmen në çdo fushë, qoftë ekonomike apo kudo tjetër, të reflektohet në kohë. Ajo që dua të theksoj gjithmonë është dialogu për çështjet më të rëndësishme të qeverisjes së vendit dhe një klimë më e mirë bashkëpunimi, pasi shndërrimi i konfliktit në një filozofi të sjelljes politike në vend apo edhe në një mënyrë qeverisjeje vetëm shteron energjitë pozitive të të gjithë aktorëve. Të vetë qeverisë dhe përfaqësuesve të saj, të vetë opozitës, të biznesit dhe sipërmarrjes dhe të qytetarëve. Ne kemi nevojë që secili të përmbushë përgjegjësitë e ti dhe të krijojmë një ambient sa më të sigurt për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, sa më të besueshme për ata në radhë të parë por edhe për partnerët e huaj e sidomos për investitorët e huaj nga të cilët duhet të shohim më shumë.
Koka: A ka më shumë propagandë në mënyrën se si po qeveriset vendi se sa punë konkrete z. Meta, a e ndjeni këtë?
Presidenti Meta: Nuk jam në Parlament këtu, jam në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe nuk ia lejoj vetes që të hyj në komente të njëanshme, por unë besoj që ka nevojë patjetër për më shumë punë nga të gjithë. Nuk mund të kënaqet askush me arritjet e deritanishme dhe të gjithë duhet të kënaqemi atëherë kur të ndalojë çdo i ri i këtij vendi së ëndërruari për ta gjetur Evropën jashtë Shqipërisë.
(B.H/Faxweb)