Presidenti i zgjedhur Ilir Meta i është përgjigjur sot akuzave dhe sulmeve si nga PS ashtu edhe nga PD. Ai i ka dërguar edhe një mesazh të qartë kryeministrit Rama se nëse Shqipëria do ketë dy parti, njëra do jetë LSI.
“Përgjigjja ime për z. Rama, meqenëse e ka me pasion këtë çështjen e dy partive, ku, në fakt, ai ka në mendje vetëm një parti, madje nuk ka në mendje asnjë parti, por vetëm një njeri, veten e tij, është kjo: në rast se Shqipëria do të ketë dy parti, një nga këto dy parti do të jetë pa asnjë diskutim LSI-ja dhe do të jetë partia më e madhe e shqiptarëve”, tha Meta.
I pyetur për partinë e dytë Meta tha se mund të jetë një rilindje e përbashkët.
Në “ Debati në Channel One” Meta duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë ka ndodhur mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, tha se Rama arriti të manipulonte shumë ndërkombëtare në lidhje me reformën në drejtësi.
“Arriti të manipulonte shumë për shkak të paaftësisë të opozitës, e cila nuk ishte shumë koherente, e para. E dyta, edhe kur kishte të drejtë, për shkak të shumë gabimeve në menaxhimin edhe të inkoherencës së saj nuk arriti dot të mbronte drejtësinë e pozicionit të saj. Natyrisht, të gjithë e dinë shumë mirë që pengesa për të miratuar një reformë të tillë, e cila nuk synonte vetëm kapjen e reformës së drejtësisë, por synonte edhe shpërbërjen e opozitës në Parlament, pasi dihet që shumë deputetë ishin nxitur, ishin përpunuar për të votuar këtë reformë, sepse këta donin drejtësi, këta të tjerët nuk donin drejtësi, për ta nxjerrë opozitën nga institucionet dhe për ta shpërbërë Partinë Demokratike”, tha Meta.
(M.D/Shuplaka)