Këtë të hënë rinis gjyqi ndaj Presidentit Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese, ku diskutohet mbi vlefshmërinë e shkarkimit të tij nga Kuvendi.
Në të njëjtën kohë kur juristët e kreut te shtetit do jenë para gjyqtarëve kushtetues, pak metra me tutje Ilir Meta nga zyra e tij do lexojë publikisht përgjigjet e 72 pyetjeve të bëra nga anëtarët e gjykatës.
Konferenca e Metës do të bëhet në prani të gazetarëve.
Presidenti ka zgjedhur të mos marrë pjesë fizikisht në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij, duke ia lënë në dorë mbrojtjen juristëve.
Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Meta uron një javë të mbarë për të gjithë ndjekësit e tij.
Më 3 shkurt Presidenca paraqiti një fashikull prej 140 faqesh, ku vihej në pikëpyetje legjitimiteti i Kuvendit që shkarkoi Ilir Metën, ndërsa mazhoranca socialiste u akuzua për hakmarrje politike.
Parashtrimet e juristëve të Ilir Metës nuk bindën gjyqtarët kushtetues të cilët drejtuan një mori pyetjesh në adresë të kreut të shtetit. Pyetjet e gjyqtarëve lidhen me deklaratat e tij të bëra kryesisht në muajin e zgjedhjeve, të tilla si prerje e duarve për këdo që prek votën e qytetarëve.
Procesi që po zhvillohet ndaj Ilir Metës në Kushtetuese po tregon se hallkat e gjyqësorit nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjera, pasi tre mbledhje nuk mjaftuan për të mbyllur gjyqin ndaj kreut të shtetit.
Edhe sot ende nuk dihet nëse do të ketë një vendim përfundimtar nga ana e Kushtetueses. Fillimisht presidenti kërkoi ndryshimin e trupës gjykuese, kërkesë e cila iu rrëzua nga vetë anëtarët e Kushtetueses, ndërsa i gjithë procesi është shoqëruar me kërkesa të ndryshme proceduriale.