Presidenti i Republikës Ilir Meta ka lënë pushimet dhe ka pritur sot një delegacion faktmbledhës të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt.
“Shuplaka” mëson se senatorët që ishin në takim me Metën janë:
-Senator Roy Blunt (R-MO)
-Senator John Cornyn (R-TX)
-Senator Tom Cotton (R-AK)
-Senator Thom Tillis (R-NC
Delegatët po zhvillojnë një vizitë pune faktembledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria ishte një nga ndalesat.
Gjatë këtij takimi, kreu i Shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.
Po ashtu, sipas zyrës së shtypit të Presidencës, të dyja palët vlerësuan vizitën në Malin e Zi të Zëvendëspresidentit të SHBA-së Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, apo mbi terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
Ndërkohë presidenti Meta tha se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë, ndaj bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për të ardhmen e sigurt të vendeve tona dhe qytetarëve tanë. (D.D/Shuplaka)