Ish-ministri i jashtëm shqiptar Paskal Milo ka komentuar deklaratat e bëra dje nga presidenti Meta, duke thënë se ishin shumë të forta. Sipas tij denoncimet e bëra nga Meta, deri tani ishin dëgjuar korridoreve të politikës, mirëpo askush nuk kishte dalë hapur në këtë formë.
“Zoti Meta është një luan në politikën shqiptare dhe së shpejti ai do të kthehet në skenën politike, duke i dhënë një dimension më të fortë kësaj skene”, deklaroi Milo.
Ai shtoi më tej se qëllimi kryesor i ndërkombëtarëve është stabiliteti edhe nëse ka demokraci në nivele të ulëta. Madje për ta konkretizuar këtë, Milo tregoi se një rast të tillë e kishte pasur gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Jashtme në vitin 1998.
“Pas grushtit të shtetit në vitin 1998, u mblodh Parlamenti për heqjen e imunitetin të Sali Berishës. Gjatë asaj kohe, nën cilësinë e ministrit pata takime me ambasadorin amerikan, gjerman dhe italian. Thuajse njëzëri më tha se nëse arrestoni Sali Berishën, atëherë do u ndërpresim të gjitha ndihmat” – tha Milo, duke e deklaruar se gjithçka e thënë ishte nën përgjegjësinë e tij.
Sipas Milos, edhe në luftën e Kosovës ka pasur “kompromise” të tilla, në emër të stabilitetit në rajon. Pikërisht këtë shembull përdori Milo, teksa tha se Meta ka pasur takime intensive me ambasadorë dhe ka konstatuar se kanë qenë të njëanshëm.
Discussion about this post