Presidenti Meta ka qenë më shumë se i përpiktë paraditen e sotme, teksa në 09:49 ka dalë nga ambientet e presidencës për tiu drejtuar kryesisë së Kuvendit. Meta shoqërohet nga tre këshilltarët e tij Bledi Dervishaj, Bahri Shaqiri dhe Tedi Blushi.
Ndërkohë që presidenti ka dhënë dhe një koment të shkurtër për mediat, duke thënë se seanca e sotme në Komision nuk do të jetë aspak një show, por një detyrim institucional.
“Unë jam shumë i përcaktuar. Jam shumë mendje-mbushur dhe shumë i bindur në gjithë veprimet e mia. Nisma e mazhorancës nuk është shqetësimi im. Jam për t’iu garantuar të gjithëve se deri në 24 korrik 2022 presidenca do jetë një kështjellë e mbrojtjes së kushtetutës”, u shpreh Meta.
Komisioni Hetimor ndaj presidentit u ngrit për të hetuar lidhur mbi veprimtarinë e tij për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Në nisje të mbledhjes kryetari i Komisionit Ulsi Manja u shpreh se në gjykimin e deputetëve, Meta ka shkelur Kushtetutën në rastin e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 Qershorit.
(E.K/Faxweb.al)