Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Greqi, Kyriakos Mitsotakis ka uruar sot Presidentin e Republikës, Ilir Meta me rastin e marrjes së detyrës si president.
Politikani grek shprehet se Demokracia e Re dhe ai personalisht mbështet integrimin e Shqipërisë, por kujton se të drejtat e minoriteti grek kanë një rëndësi të madhe.
MESAZHI I URIMIT:
“Dëshiroj t’ju përgëzoj me rastin e marrjes së detyrës si Presidenti i Republikës së Shqipërisë! Jam i vetëdijshëm rreth përkushtimit tuaj ndaj perspektivës evropiane të vendit tuaj dhe mbetem besimplotë se në cilësinë e re, ju do të aderoni në këtë drejtim duke kontribuuar kështu në begatinë afatgjatë të Shqipërisë dhe qëndrueshmërinë e rajonit tonë.
Nga ana jonë, Demokracia e Re dhe unë personalisht mbështesim me konsekuencë integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, në institucionet euro-atlantike. Në këtë kontekst ne i konsiderojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri si të një rëndësie shumë të madhe. Ju uroj një mandat presidencial të suksesshëm në interes të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe qëndrueshmërisë e mirëqenies së rajonit tonë!”, thekson në telegramin e urimit z. Mitsotakis. (B.H/Shuplaka)