“Zëri i popullit, zëri i Zotit”, kështu e ka nisur fjalën e tij presidenti Meta, përpara mijëra qytetarëve që kanë dalë në shesh, duke iu përgjigjur thirrjes së tij në mbrojtje të Kushtetutës.
Meta tha se presidenti i ulet në gjunjë vetëm popullit, dhe flamurit kuqezi.
“Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm përpara popullit kuqezi, popullit të shqiponjave dhe flamurit kuqezi. Këtë duhet ta dëgjojë mirë grupi i puçistëve, që duan të rrëmbejnë dhe institucionin e fundit që ka mbetur i pa kapur.
Neni 2 i Kushtetutës që iu votuan në 1998, thotë që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit! Ndaj iu kam ftuar jo si Ilir Meta, por si presidenti juaj, për të dëgjuar zërin tuaj, sepse kur institucionet bjenë, ngrihet populli, dhe populli nuk mundet që të jetë nën kthetrat e oligarkëve.
Jemi këtu sepse Shqipëria është kundër grupit të vogël, të tradhtarëve, të puçistëve dhe të oligarkëve, që si kësula pinë çdo ditë gjakun e popullit tonë me koncensionet. Jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave, që i kemi më të shtrenjta se të gjitha vendet e botës.
Unë si president i kam rrëzuar publikisht këto dekrete që synojnë grabitjen e Shqipërisë. Ata kërkojnë tashmë që të rrëmbejnë edhe Gjykatën Kushtetuese që krimet e tyre të mbeten të pagjykuara.
Jemi sot këtu, se asnjë nga ne nuk mund ti qendrojnë anash grushtit të shtetit, jemi këtu që ti qendrojmë në ballë grushtit të shtetit, unë si ushtar i parë i Republikës”, u shpreh më tej Meta.
“Nuk ka asnjë përgjigje, asnjë veprim, asnjë reagim, ka vetëm heshtje se ka vetëm kapje. Dhe kur kjo ndodh me kryetarin e shtetit, ju e vuani vetë se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë që nuk e kanë mundësinë që të flasin diku.
Si mund të fitojë dikush një vend pune në administratën publike, kur sheh si vidhen në mënyrë mafioze kompetencat që Kushtetuta ja jep presidentit të Republikës.
Si mund të ketë besim një investitor i huaj, kur sheh se në krye të falsifikimeve në një shtet qendron vetë ministrja e drejtësisë së bashku me celulën e saj.
Ky sekt po synon një grusht shteti të vërtetë që nuk kryhet me tanke, por duke kapur të gjithë sistemin e drejtësisë. Ky grusht shteti nisi me vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-tës, dhe dosjet e tyre flenë në gjykata, pavarësisht kërkesave të Bundestagut”, shprehet me tej Meta në fjalën e tij me tone të ashpra.
“Ata thonë se presidenti nxjerr dekrete që nuk i zbatohen, ata nuk kanë kuptuar gjë akoma. Zgjedhjet e Qershorit u bojkotuan në mënyrën më masive, as 5 % e qytetarëve nuk shkuan, edhe pse kishte presione të jashtëzakonshme, që i nxorën dhe përgjimet e zogut të Tiranës, faleminderit Këshillit të Europës, që i mohoi këto zgjedhje, duke thënë se nuk kishin monitoruar asnjëherë më parë zgjedhje njëpartiake.
Ata miratuan KÇK-në për të futur SPAK nën thundrën e policisë, për të përgjuar në mënyrë mafioze kundërshtarët e tyre, duke bërë pjesë e grushtit të shtetit të gjitha institucionet e kapura prej tyre.
Ky hap synon që të asgjesojë përgjithmonë Gjykatën Kushtetuese, së fundi anuluan në mënyrë të pabesueshme ligjin për betimet në Kushtetuese, pak orë para se të vinte Komisioni i Venecias, për të relativizuar veprimet e kreut të KED, që u kallzua nga president”, tha më tej Meta gjatë fjalës së tij.
“A ka një vend të Europës dhe të NATO-s që ka qendruar qoftë edhe një orë pa Gjykatë Kushtetuese, a mundet që një skuadër të hyjë në lojë duke marrë dhe arbitrin me vete, dhe duke i veshur fanellën e saj. Janë 40 mijë dosje që qendrojnë në pritje në Gjykatën e Lartë, që nuk funksionon. A ka një vend të Europës ku çdo ditë dalin ligje të reja që përmbysin aktet kushtetuese.
Këta shpikën si të shenjtë afatin e Dvoranit, këta nuk e vranë mendjen për asnjë afat të Kushtetutës që kurrë nuk u respektua për ngritjen e institucioneve të drejtësis. Shqiptarët janë sot këtu se nuk duan të jetojnë më me këtë sistem drejtësie, shqiptarët janë këtu se duan një drejtësi sipas Kushtetutës.
Sot vihen para drejtësisë qytetarë për krime banale, por për ata në krye të shtetit, drejtësia i mbron. Historia na ka mësuar se dhe Hitleri me anë të ligjeve antikushtetuese, e ndërtoi regjimin e tij”.
(E.K/Faxweb.al)