Presidenti Ilir Meta, po zhvillon vizitën e tij të fundit si president në Kosovë, ku pas takimit me Vjosa Osmanin, kanë dalë në një konferencë të përbashkët për mediat.
Osmani e falenderoi Metën për të gjithë mbështetjen e tij në njohjen e mëtejshme të Kosovës, ndërkohë që presidenti shqiptar tha se ka bërë vetëm detyrën. Presidenti u shpreh se nga e hëna e 25 Korrikut, kur nuk do të jetë më president, do të bëjë shumë më shumë për Kosovën.
“E dashur Vjosa nuk pranoj asnjë falenderim, për shkak se kam bërë detyrën kushtetuese dhe morale, e vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë dhe më shumë për përkrahjen e Kosovës, nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tonë.
Ju jap fjalën se duke nisur nga dita e hënë në 25 në mëngjes, do të bëj shumë më shumë për Kosovën. Ju falenderoj juve për bashkëpunimin, jam i bindur se dhe presidenti i zgjedhur i Shqipërisë do të vijojë këtë traditë shumë pozitive. Është e rëndësishme ta theksojmë vendimin e gjykatës ndërkombëtare, që çimentoi pavarësinë e Kosovës.
Duke ardhur dje në Prishtinë, po mendoja katër javët e para të situatës në Kukës, para fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, dhe kujtoj ato pamje të pabesueshme, për javë të tëra, të nënave, të moshuarve, fëmijëve, që vinin të shpëtonin jetën e tyre, të afërmit e tyre, ishin javëtë tmerrshme”, u shpreh Meta.
“Dua të uroj Shqipërinë që para pak ditësh së bashku me Maqedoninë e Veriut bënë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, në familjen evropiane, aty ku e ka vendin edhe Kosova.
Zoti president keni qenë zëri ynë aty ku nuk jemi përfaqësuar. Në veçanti keni zë i fuqishëm kundër tendencave për ndarje të Kosovës dhe ndryshim kufijsh. Ide e aventura këto të rrezikshme, pasojat e të cilave po ndihen edhe sot, por të cilave bashkërisht u kemi dhënë fund.
Ju i keni dhënë mbështetje Kosovës gjatë udhëheqjes suaj, dhe kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Sërish do të vazhdoni të jeni zëri i Kosovës ku iu jepet mundësi. Miqësia e bashkëpunimi do të mbesin të përhershme. Është e nevojshme që marrëveshjet ndërqeveritare të zbatohen edhe në praktikë”.
“Agjenda jonë mbetet e fokusuar në konsolidimin e vendit tonë si vend sovran dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Kosova po punon për të përgatitur aplikimin për statusin kandidat. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në funksion të paqes. Ajo çka na bashkon është e ardhmja euroatlantike”, tha Osmani më herët gjatë fjalës së saj.
(E.K/Faxweb.al)