Gjatë fjalës përmbyllëse në Konventën Kombëtare të LSI-së, kreu i saj, Ilir Meta, u shpreh se me zgjedhjen e drejtuesve të rinj është rritur kolegjialiteti.
Sipas tij, LSI është produkt i realitetit shqiptar, ka qenë produkt dhe mbetet produkt i vullnetit, dëshirës, aspiratave të qytetarëve shqiptar për të parë një alternativë më realiste, më me këmbë në tokë që fton gjithmonë arsyen dhe argumentin në debatin politik dhe në vendimmarrjen për çështjet më të rëndësishme të vendit, duke qenë se për një kohë të gjatë konfliktualiteti politik ka qenë i vetmi rregull lojë në këtë vend dhe LSI ka bërë mjaft për të ecur në këtë drejtim dhe kjo është arsyeja që është vlerësuar dhe që është mbështetur.
Fjala e plotë e Ilir Metës në mbyllje të Konventës së LSI-së:
Përpara se të ndahemi nga kjo konventë e mrekullueshme për të rinisur punën tonë të përbashkët në zbatimin e vendimeve të saj, të platformës së re politike dhe njëkohësisht edhe të zbatimit të statutit të ri që kjo konventë miratoi; dhe natyrisht dhe me ekipin e ri drejtues që kjo konventë do të zgjedhë, ekip të cilin nuk e shpallim dot tani për shkak se demokracia ka kostot e veta dhe transparenca gjithashtu, dhe radhët ende vazhdojnë për të përmbyllur procesin e votimit, pasi donim t’i jepnim një shans sa më shumë shoqeve dhe shokëve për të qenë në listën për kandidat.
Megjithatë, mbyllja e kësaj konvente gjithashtu i fton të gjithë ata që kanë durim që jo vetëm të vazhdojnë procesin e votimit, por edhe të presin rezultatet, si për nënkryetarë dhe për sekretarë të përgjithshëm, por edhe për anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar, deri në momentin që do të votojë edhe delegati më i fundit dhe më pas, në praninë e të gjithë atë që kanë durim dhe të mediave, do të shpallen në mënyrë më transparente rezultatet.
Ju falënderojë për pjesëmarrjen dhe për kulturën e larë demokratike. Ju falënderojë për debatet dhe për kritikat.
Unë ju ftojë të brohorasim për Lëvizjes Socialiste për Integrim, ju ftoj të brohorasim për Lëvizjen Rinore për Integrim dhe ju ftoj të punojmë për një Shqipëri akoma më evropiane, e cila mund të bëhet e tillë duke patur një LSI edhe më evropiane dhe unë mendoj që kjo konventë ndihmoi dhe kontribuoi për një LSI shumë për cilësore për të ardhmen.
Për një LSI që do të ndihmojë për forcimin e institucioneve demokratike në vend, që do të ndihmojë për një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm dhe më të suksesshëm, dhe më të prekshëm për çdo qytetarë të Shqipërisë.
Për një orientim më të qartë të politikave ekonomike dhe të rritjes ekonomike, duke u përqendruar dhe duke u dhënë prioritetin e duhur jo vetëm mediatik, por edhe buxhetor, edhe financiar, sektorëve më të rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit, bujqësisë, turizmit, duke rritur akoma më tej cilësinë e sistemit tonë arsimorë, dhe duke u thelluar shumë më tepër se sa deri tani për arsimin profesional.
Këto do të na japin mundësinë që t’u ofrojmë sa më shumë qytetarëve tanë dhe sidomos sa më shumë të rinjve tanë jo vetëm aftësinë e duhur, por edhe mundësinë për të gjetur një punë më të mirë.
Dua të falënderojë në mënyrë të veçantë Institutin Demokratik Amerikan për ndihmën e pakursyer e të jashtëzakonshme që na ka dhënë për modernizimin dhe për hapjen jo vetëm të kësaj force politike, por në mënyrë të veçantë, mbështetjen e jashtëzakonshme që na ka dhënë për LRI-në, për fuqizimin e rolit të gruas në LSI dhe në politik-bërje, por edhe në propozime dhe në ekspertizën për rritjen e transparencës financiare, dhe të funksionimit të demokracisë, të forcës tonë politike, edhe përmes propozimeve për përmirësimin e statutit tonë.
Dua të falënderoj edhe fondacionin Friedrich Ebert që ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në këtë drejtim, dhe me të cilin do të vazhdojmë të punojmë edhe më ngushtë për të kuptuar më mirë, dhe për të zbatuar më mirë arsimin profesional në vendin tonë në interes të të rinjve tanë.
Dua të falënderojë dhe të gjithë miqtë që na nderuan këtu nga Gjermania, nga Portugalia, nga Greqia, nga Italia, nga Mali Zi, nga Kosova, nga Presheva nga Maqedonia dhe kudo.
Dua të falënderojë përfaqësuesit tanë të emigracionit që gjetën mundësinë për të qenë në këtë konventë dhe dua t’i sigurojë se do të vazhdojmë të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar ata, jo vetëm për tu integruar më mirë në vendet ku jetojnë, por njëkohësisht edhe për të rritur kujdesin e shtetit tonë ndaj tyre.
Mendoj se kjo konventë mori përgjegjësi më shumë për të ardhmen. Kjo konventë solli një rritje të kolegjialitetit në drejtimin e LSI-së, duke zgjedhur në këtë mënyrë për herë të parë edhe nënkryetarët, edhe sekretarin e Përgjithshëm, dhe kjo frymë kolegjialiteti në lidershipin qendror të LSI-së, duhet të zbresë nga kjo konventë në një frymë kolegjialiteti kudo në të gjithë vendin, në mënyrë që LSI të jetë një parti më e hapur, të jetë një parti më transparente, të jetë një parti më përfshirëse, të jetë një parti e cila nuk kujdeset vetëm për anëtarët dhe për simpatizantët e sajë, por e cila kujdeset për çdo qytetarë të këtij vendi që ka nevojë për t’i dhënë dorën, për t’i dhënë një shans që të eci më shpejt në rrugën e zhvillimit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e integrimit social.
Një falënderim të veçantë e kam për Luan Ramën, për punën që është bërë për organizimin e kësaj konvente, edhe për gjithë stafin mbështetës për organizimin e saj, si në qendër ashtu edhe në rrethe.
Një falënderim të veçantë e kam për Petrit Vasilin dhe për grupin parlamentar, pasi kanë mbajtur gjithnjë qëndrime jashtëzakonisht konstruktive, pozitive, kurajoze dhe dua ta falënderoj në mënyrë të veçantë Petritin për rolin e tij të veçantë dhe shpesh herë të padukshëm edhe për suksesin dhe konsensusin e reformës në drejtësi, si anëtar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.
Një falënderim të veçantë e kam për të gjitha shoqet, për të gjitha zonjat, për të gjitha motrat tona që janë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë që i japin dashuri dhe mbështetje Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Falënderimin e parafundit e kam për mediat, për bashkëpunimin që kemi patur dhe që kemi me to, i cili do të vazhdojë të jetë gjithmonë një bashkëpunim i hapur dhe mjaft transparent nga ana jonë.
Ne nuk ankohemi asnjëherë nga mediat edhe kur ato mund të mos jenë shumë objektive ndaj nesh, sepse liria e fjalës është themeli i gjithë lirisë që shqiptarët jetojnë pas Dhjetorit ’90, dhe e kam thënë se një politikan që ankohet për mediat është si një marinar që ankohet nga deti. Ne nuk ankohemi nga mediat. Ne edhe kritikat e tyre i kemi në konsideratë dhe i shohim si një mundësi për të qenë përpara pasqyrës dhe për të përmirësuar punën tonë për të ardhmen. Ndaj, do t’i ndjekim me vëmendje edhe analizat e tyre për këtë konventë dhe për mesazhet e saj.
Falënderimi i fundit është për Lëvizjen Rinore për Integrim. Unë nuk jam dakord me mikun tim Luan Rama kur thotë, ose kur tha dje se LSI është e imunizuar nga sëmundjet nga të cilat vuajnë partitë e tjera. Duke qenë se flas i fundit dhe do ta mbyll këtë konventë, kam edhe fatin e madh që nuk i jap mundësi Luanit për replikë.
Unë besoj se LSI nuk është një forcë politike që ka rënë nga qielli në realitetin shqiptar. Unë besoj se LSI është produkt i këtij realiteti, ka qenë produkt dhe mbetet produkt i vullnetit, dëshirës, aspiratave të qytetarëve shqiptar për të parë një alternativë më realiste, më me këmbë në tokë që fton gjithmonë arsyen dhe argumentin në debatin politik dhe në vendimmarrjen për çështjet më të rëndësishme të vendit, duke qenë se për një kohë të gjatë konfliktualiteti politik ka qenë i vetmi rregull lojë në këtë vend dhe LSI ka bërë mjaft për të ecur në këtë drejtim dhe kjo është arsyeja që është vlerësuar dhe që është mbështetur.
Por si forcë politike e rëndësishme dhe njëkohësisht edhe në qeverisjen e vendit, aq më tepër si çdo forcë politike në qeveri, jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, edhe LSI, sidomos përfaqësuesit e saj në të gjitha nivelet në pushtetin qendror dhe vendorë, janë vazhdimisht nën presionin e fenomeneve të njohura dhe shqetësuese siç janë ato të abuzimit, të korrupsionit dhe të mungesës së transparencës, dhe është detyra jonë dhe përgjegjësia jonë që përmes reformave, përmes ndryshimeve, jo vetëm në Parlament, por edhe në këtë konventë, edhe në ndryshime të rëndësishme në statutin e kësaj force politike, këtyre presioneve t’u kundërvihemi me një presion shumë të madh siç është hapja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe që është përgjegjësia dhe përgjegjshmëria, dhe rritja e llogaridhënies e të gjithë përfaqësuesve tanë, jo vetëm ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve, por në mënyrë të veçantë ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo ku ata janë.
Ne kemi një fat të madh që kemi një organizatë të shkëlqyer siç është Lëvizja Rinore për Integrim, e cila duhet të vazhdojë të rritet, të fuqizohet, të integrohet më mirë në gjithë lidershipin qendror dhe vendor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe që nuk duhet të pajtohet asnjëherë me këto sëmundje mjaft qetësuese për politikën shqiptare dhe sidomos, për qytetarët e këtij vendi me këto sëmundje që kanë vrarë dhe që synojnë të vrasin besimin e të rinjve, se Shqipëria mund të bëhet një vend i vërtetë evropian dhe se ata mund ta gjejnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.
Ndaj, unë i ftoj edhe njëherë të gjithë të rinjtë ku do ku janë, të jenë edhe më të bashkuar me njëri-tjetrin dhe të luftojnë për një Shqipëri që ecën më shpejt drejt integrimit evropian, dhe për një Lëvizje Socialiste për Integrim që i përgjigjet aspiratës së tyre për të qenë pararojë të këtyre ndryshimeve, dhe transformimeve europianizuese për vendin tonë.
Kjo është arsyeja që ne edhe në këtë konventë i kemi dhënë një peshë në rritje të rinjve dhe të rejave në drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke besuar se ata vërtetë nuk do t’i tradhtojnë aspiratat e gjeneratës së tyre, se ata nuk do të jenë konformistë, nuk do të jenë oportunistë dhe nuk do të mësohen me këto vese të politikës sonë të deritanishme, që e kanë penguar Shqipërinë të jetë aty ku duhet.
Mos harrojmë se po vjen 8 Dhjetori, dita kur të rinjtë e Shqipërisë u ngritën për të ndryshuar një sistem të tërë. Mendoj se për të rinjtë tanë këtu dhe për të rinjtë e Shqipërisë kudo është një detyrë më e lehtë për t’i dhënë vendit një dinamikë tjetër, një shpresë më të madhe, dhe për t’i dhënë momentin final për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, dhe për ta bërë realitet edhe pse me vonesë, aspiratën e 8 Dhjetorit – për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Rroftë Lëvizja Socialiste për Integrim! Rroftë Lëvizja Rinore për Integrim! Suksese të gjithë sëbashku në sfidat e ardhshme për një Shqipëri anëtare të Bashkimit Europian!
Faleminderit!