Presidenti i Republikës Ilir Meta ngriti sot siparin e veprimtarive të Javës Presidenciale kushtuar fëmijëve pa përkrahje prindërore. Në bashkëpunim me Institucionin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prag të Festës së Pavarësisë – 28 nëntorit, u zhvillua veprimtaria ndërgjegjësuese për fëmijët jetimë në prani të përfaqësuesve të qeverisë e të Kuvendit, ambasadorëve të huaj, aktivistëve të shoqërisë civile dhe të organizatave rinore, artistëve të shquar dhe personalitetve të spikatur nga fushat të ndryshme të jetës, miqve të ardhur nga trevat shqiptare dhe fëmijëve të shumtë.
Presidenti Meta vlerësoi me Dekoratën “Nënë Tereza”, Rauf Ficon (pas vdekjes) për veprimtarinë, atdhetare dhe intelektuale, me kontribut të çmuar për vendin, si dhe për meritën e veçantë si ideues dhe themelues i “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri”, Sheh Abdyrrahman Harasanin (pas vdekjes) për kontributin e çmuar si bamirës, mbrojtës dhe strehues i njerëzve në nevojë, veçanërisht për fëmijët jetimë, duke hapur “Strehën e Parë Vorfnore” në Shqipëri”Fondacionin “Shpresë për Botën” për kontributin e çmuar humanitar në dobi të fëmijëve jetimë që prej vitit 1991, duke u ofruar atyre përkrahje dhe mbështetje ekonomike, përmes shërbimeve të shumëllojshme në rritjen dhe edukimin në qendrat komunitare të fëmijëve jetimë në të gjithë Shqipërinë.
Gjithashtu Presidenti i Republikës çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Kolec Traboini për merita të shquara si personalitet i artit, publicistikës dhe kulturës shqiptare, duke u bërë shembull frymëzimi, në veçanti, për gjeneratat e fëmijëve jetimë, të cilëve ai u përket”.
“Të dashur fëmijë, të nderuara dhe të nderuar përfaqësues të qeverisë dhe të instituiconeve, Të nderuar deputetë dhe shumë të nderuara deputete, Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare, Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, Personalitete të shquar të artit dhe kulturës, Të dashur aktivistë të shoqërisë civile dhe organizata rinore, Miqtë tanë nga trojet shqiptare, Motra e vëllezër! Ju uroj nga zemra mirë se keni ardhur në çeljen e “Javës së Fëmijëve Jetimë”, e cila i kushtohet 100-vjetorit të themelimit të Strehës se Parë Vorfnore në Shqipëri! Plot një shekull më parë, nën kujdesin e atdhetarëve humanë hapi dyert shtëpia e parë e dashurisë, “Streha e Fëmijëve”. Historia e rrugëtimit të mbështetjes institucionale dhe shoqërore ndaj fëmijëve pa ngrohtësi prindërore, zuri fill pikërisht në ditët më të vështira të ekzistencës të shtetit të parë shqiptar. Njëqind vjet më parë, ishin dy fëmijë të braktisur që do të trokisnin në derën e prefekturës së Tiranës për ushqim dhe strehim. Fati tragjik i tyre do të motivonte bujarinë tradicionale shqiptare për të çelur të parën strehë vorfnore në Tiranën e përzhitur nga flakët e luftës. Ky akt historik shpalosi përpjekjen e gjatë shekullore për ringjalljen e vlerave morale dhe humane të shoqërisë shqiptare. Këto vlera humane populli ynë do i shpaloste here pas here në momentet më kritike. Solidariteti i jashtëzakonshëm si asnjë popull dhe asnjë komb tjetër në Evropë me hebrejtë në periudhën më të errët të historisë së tyre, mikpritja e jashtëzakonshme e mbi 1 milionë qytetarëve të Kosovës në kulmin e genocidit etnik dhe solidariteti me popuj dhe vende në nevojë dëshmojnë se populli shqiptar ka në thellësi të shpirtit të vet potenciale të pashtershme dashurie, mirësie dhe humanizmi. Ne sot përkulemi me respekt të thellë ndaj burrave të kombit, familjeve fisnike të Tiranës, krerëve të bashkësive fetare që kuptuan në ditë të vështira se shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër kanë nevojë për drejtësi njerëzore, ringjallje të vlerave morale, virtyteve njerëzorë dhe solidaritet qytetar. Për këtë arsye ne përkujtojmë me përulje sot humanistët e mëdhenj si Rauf Fico, themeluesi i Strehës së Parë Vorfnore, Myrtesi Këlliçi, Sheh Abdyrahman Harasani, Zyber Hallulli, Mehmet Shijaku, Ismail Ndroqi, Xhelal Toptani e shumë fisnikë të tjerë, që vendosën bazat e mikpritjes institucionale për fëmijët në nevojë. Në mënyrë të veçantë, ne i shprehim mirënjohjen gjithë familjeve shqiptare që i kanë hapur dyert e zemrën”. u shpreh Meta. (J.V/Faxweb)