Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi i ftuar në “45 minuta” nga Denis Minga në Report Tv, shpreh mendimin se kryeministri Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta do të hyjnë bashkë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Sipas tij, shkak për këtë janë reformat që kanë nisur sëbashku dhe që akoma janë në mes.
“Plotësojnë njëri tjetrin, kur Rama nuk pranon diçka, i pranon Meta, dy paritë kanë pranuar se do jenë në një koalicion. Partitë kanë diferenca në mendime apo edhe elektorat dhe strategji por do të jenë bashkë, do ishte gabim i madh po të mos shkojnë, duhet të shkojnë bashkë, janë në mesin e reformave të koalicionit. Kanë bërë reforma si reforma administrative, reforma në drejtësi dhe reformat duhen çuar deri në fund, po të mos shkonin bashkë do ngeleshin reformat në mes. Sikur të ndaheshin do ishte gjë e rëndë dhe e pabesueshme”, deklaron Klosi.
Ndërkohë, i pyetur nëse Meta ka interesa për t’u bërë president, Klosi e mohoi një gjë të tillë pasi sipas tij ajo që ai kërkon është të bëhet kryeministër.
“Meta nuk ka interes për president sepse pozicioni i presidentit siç duket është katandisur dhe s’ka kompetenca dhe nuk e do askush. Meta ka dashur kryeministrin gjithmonë sepse ka më shumë kompetenca në duar.”, shprehet ish-kreu i SHISH.
“Pra e shikoni si kryeministër Metën?”, e pyet sërish gazetari.
“Të dy palët edhe Meta edhe Rama ju takon të synojnë kryeministrin dhe i takon atij që merr më shumë mandate. Them që çështja e kryeministrit është zgjidhur sepse të dy palët e kanë konfirmuar. Meta nuk është akoma gati, nuk e ka me ngut pasi e ka provuar dhe më parë rolin e kryeministrit. Teza meta kryeministër është hedhur në “treg” për të matur opinionin, për të matur pulsin por them që Meta ka kohë për kryeministër.”, përgjigjet Klosi. (D.D/Shuplaka)