I pyetur për të disatën herë nga mediat nëse do të qëndrojë në koalicion me PS-në, apo do të rikthehet me PD-në, kreu i Kuvendit Ilir Meta më në fund ka dhënë një përgjigje.
Ai ka pranuar se LSI do të vazhdojë të qëndrojë pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë socialiste.
“Ne vazhdojmë me këtë koalicion të përmbushim detyrimet dhe përgjegjësitë tona. Do të bëjmë gjithçka për një klimë më konstruktive në skenën politike dhe jo vetëm brenda koalicionit qeverisës por edhe jashtë tij.”, tha Meta.
Më tutje kreu i LSI-së tha se nuk bën kalkulime numrash, por po punon për Reformën në Drejtësi.
“Parlamenti është për opozitën, sepse mazhoranca ka edhe qeverinë. Ne nuk bëjmë asnjë kalkulim numrash, aq më tepër të parakohshëm, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe të zgjedhjeve të 18 qershorit, është rezultati dhe nota që do të marri Shqipëria dhe Shqiptarët për të cilën duhet të kujdesemi që tani.”, tha Meta.
Ndër të tjera, lidhur me Reformën në Drejtësi, Meta tha se duhej të ishte përfunduar prej kohësh.
“Qëndrimi i LSI është mjaft i qartë, zgjedhjet e 18 qershorit janë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë, dhe sëbashku me reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin të cilët janë kyçe, për standartin e zgjedhjeve, çeljen e negociatave dhe për zbatimin e sukseshhëm të reformës në drejtësi në të ardhmen. Besoj se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet të cilat kanë të bëjnë me standartet e zgjedhjeve dhe për të përfunduar reformën zgjedhore që duhej të kishte përfunduar prej kohësh. Nuk duhet heq dorë nga dialogu, sepse është kyç për zbatimin e reformave.”, tha kreu i Kuvendit.
Në mbledhjen e sotme, Meta tha se janë emëruar edhe krerët e komisioneve të LSI-së. (M.D/Shuplaka)