Nga Afrim Krasniqi:
Presidenti i ri i Republikës është zgjedhur, por në Albania-stan vetëm një orë më pas do duhet të hapet debate kushtetues: a përbën sjellja e Presidentit shkelje të Kushtetutës, a po respektohen parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe a po krijojmë një model të ri të shtetit-partiak? Ilir Meta është zyrtarisht President i zgjedhur, është kryetar parlamenti, është deputet dhe kryetar në LSI. Ai vijon ti ushtrojë katër funksionet njëherësh, – sidomos atë të drejtuesit politik në LSI. Pas zgjedhjes President z.Meta drejtoi mbledhjen e kryesisë së LSI, bëri konferencë shtypi për LSI, sot drejtoi Asamblenë Kombëtare dhe vijon të deklarojë se do jetë në funksionet parlamentare edhe më tej. Në fakt kjo praktikë e ndjekur prej tij përbën një devijim të dukshëm nga praktikat e mëparshme presidenciale. Presidentët Rexhep Meidani, Bamir Topi, Bujar Nishani menjëherë pas zgjedhjes kanë dhënë dorëheqje nga postet partiake, anëtarësia në parti dhe funksionet e tjera parlamentare e politike. Meta po përpiqet të krijojë një sjellje të, e cila në thelbin e saj është antikushtetuese.
Konkretisht, Kushtetuta e Shqipërisë, neni 88, pika 3, thekson se “Presidenti fillon detyrën pasi bën betimin para Kuvendit”, pra theksohet “Presidenti” dhe jo “kandidati për President”. Meta është President edhe përpara 24 korrikut, ai e fillon detyrën më 24 korrik. Ai është President me status, me privilegje, me pagesë, me protokoll shtetëror, me ceremonial diplomatik, por nuk e merr detyrën deri më 24 korrik. Ai vijon të marrë letra e mesazhe nga kryetarë shtetesh, pra bota e njeh për President, kurse në vend, në Tiranë, ai sillet ende si “jo president”, një status midis partisë e Presidentit.
Kushtetuta, neni 89, thekson se Presidenti nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të ushtrojë detyrë tjetër publike. E përsëris, nuk thotë “kandidati për President”, por “Presidenti” dhe zoti Meta është zgjedhur zyrtarisht tashmë President. Në momentin e zgjedhjes ai duhej të kishte dhënë dorëheqje nga partia e tij politike, dhe nga postet e tjera publike, përfshirë anëtarësia në parlament. Kështu kanë vepruar të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentëve në vende të tjera me bazë të njëjtë ligjore, përfshirë Italinë, Greqinë, Gjermaninë. Madje në Kosovë, shkarkimi i Presidentit Sejdiu ndodhi mbi këtë bazë, dhe nëse lexohet arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese, u përcaktua detyrimi që ai të ndahej nga partia që në momentin e zgjedhjes. Të gjitha praktikat kushtetuese e ligjin ndarjen nga partia në momentin e zgjedhjes, jo të betimit, madje ka praktika që kërkojnë që kandidati të ndalojë anëtarësinë partiake edhe në fazën e kandidimit për President. Zoti Meta ka deklaruar se do ta dorëzojë teserën me 23 korrik, çfarë në praktikën kushtetuese shqiptare e evropiane është dukshëm akt antikushtetues.
A ka vlerë kjo në një vend si Shqipëria ku të gjithë e trajtojnë Kushtetutën si një dokument të bezdishëm? Natyrisht ka vlerë, sidomos në dy aspekte: për të kuptuar sesi do jetë sistemi politik pas 24 korrikut dhe sidomos për të ardhmen e mandatit presidencial në 5 vitet e ardhshme. Me siguri do ti përmendet gjatë dhe mund të përfundojë edhe në ankimim në Gjykatën Kushtetuese.
Së fundi, por me rëndësi: Presidenti është Kryetar i Shtetit, është posti më i lartë shtetëror dhe karriera më e lartë, nderi më i madh dhe përgjegjësia më e madhe e çdo individi në jetën politike e publike. Mënyra sesi Presidenti i zgjedhur e trajton këtë post është krejtësisht ndryshe, – ai e komenton atë si një post të imponuar, zgjedhje të imponuar, se midis Presidentit e LSI zgjedh këtë të fundit dhe se edhe gjatë funksionit si kryetar shteti mendjen do ta ketë te partia. Nuk ka koment për deklarime të tilla, vetëm keqardhje për nivelin e seriozitetit të politikës dhe të shtetit!
Presidenti do të duhej të ishte përfaqësues i unitetit të popullit: si mund të jetë i tillë kur personi që është zgjedhur President mban ende teserë partie, drejton partinë, bën deklarata publike pro partisë së tij dhe madje cakton edhe listën e kandidatëve për deputetë të partisë???
Me siguri zoti Meta ka këshilltarë juridikë të mirë, me siguri ata do ta këshillojnë atë ta lexojë Kushtetutën dhe të tregojë më shumë respekt për të, që të paktën kreu i shtetit të tregojë respekt qoftë edhe formal për shtetin që do të drejtojë në 5 vitet e ardhshme.