Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot në një takim Kryetarin e Këshillit Nacional Shqiptar të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliun, i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanovcit.
Mësohet se në këtë takim, Meta shprehu interesin e tij institucional, shtetëror e personal ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Luginës.
Meta theksoi rëndësinë që përfaqësuesit politikë dhe qytetarët e Luginës së Preshevës të jenë edhe më bashkëpunues për interesat e tyre kombëtare dhe mirëqenien e shqiptarëve në Luginë.
Ndër të tjera Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore.
Kjo gjë do të ishte një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Luginës, sidomos në arsim, punësim, infrastrukturë dhe shërbime ndaj qytetarëve.
Presidenti Meta theksoi se një pjesëmarrje më aktive e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, si dhe një bashkëpunim më efikas i faktorëve politikë do të rriste ndjeshëm shkallën e përfaqësimit të shqiptarëve në të gjitha institucionet vendore dhe qendrore.
Presidenti Meta dhe zoti Musliu ndanë pikëpamje të njëjta se shqiptarët e Luginës duhet të konsiderohen si ura lidhëse mes popujve, ndaj dhe respektimi i të drejtave të tyre pasuron e zhvillon marrëdhëniet midis dy vendeve të rajonit.
Ndërkohë Musliu, në emër të Këshillit Nacional Shqiptar, i uroi Metës suksese në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post