Pas takimit me Shefin e Shtabeve të Bashkuar të SHBA-ve, Gjeneralin Joseph Dunford, presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot një tjetër zyrtar të lartë. Ai është kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel.
Meta i uroi mirëseardhjen dhe i shprehu mirënjohjen Gjeneralit Pavel për kontributin e tij në organizimin e Konferencës së Komitetit Ushtarak në Shqipëri duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm për Aleancën.
Presidenti vlerësoi angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan.
Presidenti Meta e siguroi Gjeneral Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen.
Gjenerali Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, vecanërisht pjesëmarrjen e Forcave të saj të Armatosura në misionet e rëndësishme në vende të ndryshme.
Kryetari i Shtetit dhe Gjenerali Pavel ndanë pikëpamjen e njëjtë mbi politikën e “Dyerve të Hapura” për vendet e Ballkanit dhe u dakortësuan se rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet siguria globale dhe ajo kolektive kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga të gjitha vendet antare të NATO-s.
Presidenti Meta shprehu besimin se Takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë do të zhvillohet me sukses.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2787″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]