Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë lidhur me mosdekretimin e ministrave të rinj. Presidenti Meta ende nuk ka firmosur ende dekretet për emërimin në postin e ministrit të 5 emrave të propozuar nga kryeministri Rama, respektivisht Genti Cakaj, Elva Margariti, Besa Shahini, Belinda Balluku dhe Anila Denaj. I ftuar sot në emisioni “A Show”, Meta ka sqaruar dhe arsyet pse sipas tij po vonon të hedhë firmën për secilin nga propozimet e Ramës.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Zoti Meta, një nga analistët në Shqipëri, kishte hedhur teori konspiracioni, – nga ato treqind teoritë e konspiracionit që zakonisht prodhohen në njëzet e katër orë, – që ky veprim jo domosdoshmërisht është një veprim institucional i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, por kishte aluduar se është ‘një marrëdhënie e ndërlikuar midis Metës dhe Bushatit’, ‘një antipati reciproke’ dhe le të themi një lloj ‘futjeje e shkopinjve në rrota’ për çdo moment, gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në detyrë. Kjo natyrisht që nuk është e vërtetë?
Presidenti Meta: Unë besoj se marrëdhënia ime me të gjithë ministrat, me të gjitha institucionet, nga ana e Presidentit të Republikës, por edhe nga ana personale, njerëzore, ka qenë jashtëzakonisht korrekte. Së dyti, nga ana institucionale, akoma edhe më korrekte, nga Institucioni i Presidentit. Dhe për këtë besoj se kanë qenë në dijeni edhe kryeministri apo edhe kryetari i Kuvendit, apo komisioni i Jashtëm në Kuvend. Dhe ideja ka qenë për të mbështetur gjithmonë ministrin e Jashtëm, pavarësisht nga emri që ka qenë apo nga ai që mund të jetë në të ardhmen, për të përmbushur ato detyra, të cilat janë të një rëndësie të madhe dhe delikate, sepse lënë gjurmë të mira ose jo në planin ndërkombëtar dhe lidhen me interesa të sigurisë kombëtare, të integrimit europian, të detyrimeve ndaj NATO-s dhe partnerëve strategjikë. Pra janë çështje delikate.
Gazetari: A i ka kërkuar Institucioni i Presidenti të Shqipërisë, ose a duhet t’i kërkojë një informacion zyrtar me firmë e me vulë të firmosur nga Presidenti i Republikës, ose nga Zyra e Tij Ligjore, kryeministrit të Kosovës në raport me ministrin e sugjeruar Cakaj?
Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të hyja në komente, por ne do të bëjmë të gjitha kërkimet apo verifikimet për…
Gazetari: A mund të themi një “po’, ose një ‘jo”?
Presidenti Meta: .. për të gjithë ministrat. Ne do të bëjmë të gjitha verifikimet e duhura dhe të mundshme.