Mesazhe të reja nga kreu i LSI-së Ilir Meta. Pas daljes dje në një konferencë me gazetarët ditën e djeshme, sërish sot Meta ka dhënë mesazhe lidhur me problemet që sipas tij po ndeshin qytetarët.
”Qytetarët kanë nevojë për më shumë përfshirje. Qytetarët kanë nevojë për një politikë më njerëzore e më të drejtë.”, theksoi Meta në konventën zgjedhore të LSI-së në Njësinë Nr.2 në Tiranë.
Por mesazhi më i fortë është ai rreth LSI-së. Sipas Metës partia e tij do jetë gjithnjë me këmbë në tokë. Meta tha se Tirana dhe gjithë Shqipëria nuk ka shpresë më të madhe për stabilitet, për normalitet, për energji pozitive, për zhvillim, për harmoni, se sa Lëvizja Socialiste për Integrim.
“Shqipëria ka nevojë për një forcë politike që ka vullnetin t’i zgjidhë problemet dhe jo t’i shtojë problemet. Kjo është Lëvizja Socialiste për Integrim. Një forcë politike e cila të jetë gjithmonë e lidhur me njerëzit, të jetë gjithmonë me këmbë në tokë. Sepse kërkesat dhe pritmëritë e qytetarëve janë të mëdha. Sepse qytetarët kanë nevojë për më shumë përfshirje dhe kanë nevojë për një politikë më njerëzore dhe për një politikë më të drejtë”, – tha më tej kreu i LSI-së.
Që prej të dielës politika shqiptare është përfshirë nga zhvillime të rëndësishme, shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe emërimin e Petrit Vasilit si dhe konferenca e deklarata të forta nga Ilir Meta dhe Edi Rama rreth koalicionit. (V.G/SHUPLAKA)