Presidenti Meta mirëpriti në një vizitë shtetërore në Tiranë, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.
Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.
Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.
Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.
Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:
Sot kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, mikes së shqiptarëve dhe Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Kemi bashkëbiseduar si për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për ato rajonale dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare.
Që në fillim dua të konfirmoj menjëherë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Në themel të tyre qëndron miqësia shumëshekullore midis dy popujve dhe kombeve tona dhe lidhjet e forta historike.
Prania e Arbanasve të Zarës prej më shumë se 300 vitesh në Kroaci, por edhe e një komuniteti të ri shqiptar nga të gjitha trevat, të cilat kanë luftuar dhe shumë prej tyre dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kroacisë, e bëjnë edhe më të fortë këtë miqësi.
Albanologu i shquar kroat Milan Shuflaj (Milan Šufflay) apo dhe albanologu tjetër i apasionuar, Arbanasi nga Zara, Aleksandar Stipćević, kanë shërbyer si ura lidhëse të jashtëzakonshme midis dy popujve tanë sepse ata u bënë zëdhënës të besueshëm të historisë së shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe të ardhmen e kësaj miqësie.
Së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, kemi rënë dakord gjithashtu që gjatë vitit të Skënderbeut të bëjmë dhe një vizitë të përbashkët në zonën ku banojnë Arbanasit.
Sot pata kënaqësinë t’i shprehja edhe njëherë mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë.
Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët.
Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet.
Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”.
Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme.
Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, etj.
Realizimi në mënyrë të veçantë i projekteve madhore rajonale të gazifikimit TAP-it, por dhe IAP-it, si dhe Korridori Blu, do t’i bëjë dy vendet tona edhe më të ndërlidhura me njëri-tjetrin.
Një bashkëpunim me interes është edhe ai detar, si dhe ndërmjet porteve shqiptare e kroate. Si dy vende të Adriatikut, bashkëpunimi në këtë aspekt është shumë i dobishëm, bashkëpunim që shtrihet edhe në çështjet e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të ndotjeve.
Me këtë rast i shpreha mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë edhe projektit të përbashkët me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) për menaxhimin e ndotjeve të ujërave detare (Marine) dhe të Bregdetit (Coastline) për rritjen e sigurisë në det dhe në porte, në përputhje me Ligjin dhe Politikën e BE për Detin.
Në këtë drejtim ne shohim mundësinë e mbështetjes dhe shtrirjes së këtij projekti edhe në formatin rajonal trilateral, duke përfshirë edhe Malin e Zi.
Sigurisht që bashkëpunimi rajonal ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës sonë. Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.
Po kështu patëm kënaqësinë që të mirëprisnim edhe njoftimin e Komisionerit Avramopoulos sot se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe të gjithë urojmë që qytetarët e saj sa më shpejt të udhëtojnë në hapësirën Shengen.
Njëkohësisht ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare e cila ndihmon perspektivën evropiane të të dy vendeve të gjithë rajonit tonë dhe pa dyshim që jemi shumë të lumtur për ftesën që ka marrë Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO, pasi ky vend e ka nisur këtë proces së bashku me dy vendet tona, me Kroacinë dhe Shqipërinë përmes Kartës së Adriatikut, prej kohësh.
Ashtu sikurse kemi diskutuar dhe shpresojmë për zhvillime më pozitive edhe në Bosnje-Hercegovinë në të ardhmen.
Në vitin e ardhshëm, në Shqipëri do të organizohet Samiti i radhës së Krerëve të Shteteve të vendeve të rajonit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku dihet që është një iniciativë ku Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë kanë një rol shumë të rëndësishëm që nga themelimi dhe vijimësia e kësaj nisme. Kemi diskutuar së bashku edhe për të koordinuar për një organizim sa më të suksesshëm dhe të dobishëm në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm.
Presidentja e Kroacisë nuk mund të mos vizitonte Shqipërinë gjatë vitit të Skënderbeut. Unë kam kënaqësinë që ajo ka gjetur kohën e mjaftueshme për të ndarë tre ditë me të gjithë ne, ku do të pritet edhe nga autoritetet e tjera më të larta të vendit, por dhe do t’i adresohet me një përshëndetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë.
Duke e uruar edhe për performancën e jashtëzakonshme të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, besoj se ka qenë një përfaqësim i shkëlqyer jo vetëm për Kroacisë, por mendoj dhe i mundësive që ka çdo vend që beson tek suksesi, që i përkushtohet atij dhe që mbështet talentet e tij për të arritur majat, dua edhe njëherë tjetër t’i uroj suksese gjatë kësaj vizite mjaft të rëndësishme dhe ta ftoj për të dhënë mesazhin e saj.
Faleminderit!
Fjala e Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović
Shumë faleminderit President Meta! Së pari, faleminderit për ftesën që më bëtë për një vizitë shtetërore në Shqipëri dhe në emër edhe të delegacionit ju falënderoj për pritjen e ngrohtë që më keni rezervuar këtu.
Bashkëbisedimi ynë sot ka qenë mjaft i hapur dhe miqësor. Dua të shpreh kënaqësinë time për vazhdimësinë e dialogut në nivelet më të larta midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Njëkohësisht, jam shpresëplotë dhe besoj se dialogu i vendosur qysh në ditët e para të pavarësisë së Kroacisë do të intensifikohet.
Sot ne diskutuam për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Shqipëria ishte një vend mik për ne, në kohën kur miqtë ishin të pakët dhe kur ne kishim aq shumë nevojë për to, gjatë periudhës së luftës dhe kur Kroacia përballej me një agresion dhe gjatë riintegrimit të territoreve kroate e më pas në procesin e pajtimit.
Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj gjatë atyre viteve të vështira dhe nuk do ta harrojmë kurrë. Komuniteti shqiptar në Kroaci është një shembull i lidhjeve të forta dhe i marrëdhënieve njerëzore mes dy kombeve tona. Por gjithashtu, ato janë shembulli më i mirë i forcës së komuniteteve që luftuan për lirinë e Kroacisë dhe dua të nënvizoj sot këtu se nga rreth 18 mijë shqiptarë të cilët jetonin në Kroaci, rreth 2500 prej tyre dolën vullnetarë për të luftuar dhe për fat të keq 87 prej tyre humbën jetën, ndërsa 37 prej tyre janë deklaruar të zhdukur. Kjo do të thotë shumë për ne dhe ne i jemi mirënjohës kombit shqiptar, shqiptarëve të Kroacisë të cilët dhanë këtë kontribut për lirinë e atdheut tonë.
Dhe përsëri më vjen mirë të konfirmoj marrëdhëniet e mira e tradicionale dypalëshe të bazuara në lidhjet e forta historike e që nuk kanë çështje të hapura mes tyre. Më lejoni të përmend disa elementë nga historia, që edhe ju i përmendët zoti President.
Historiani dhe shkencëtari kroat, Milan Šufflay, është një nga themeluesit e Albanologjisë. Ai ia dedikoi punën e tij shkencore kërkimeve për historinë shqiptare. Një tjetër lidhje historike është historiani dhe shkrimtari kroat i shekullit të 18-të, Andrija Kacic Milosic, i cili përmes punës së tij promovoi një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeun, heroizmin e tij dhe luftën për liri të Shqipërisë kundër Perandorisë Osmane. Me shkrimet e tij për Skënderbeun ai frymëzoi breza të tërë në Kroaci dhe në vitin, të cilin Shqipëria e ka shpallur si Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, është e rëndësishëm të përmendet fakti se ai dhe djali i tij janë shpallur asokohe “qytetarë nderi të Republikës së Dubrovnikut” për kontributin e tyre për luftën ndaj Perandorisë Osmane dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare.
Siç e nënvizova, minoriteti shqiptar në Kroaci është një shembull pozitiv i integrimit të një minoriteti në shoqëri dhe jo vetëm që është një urë e fortë lidhëse midis vendeve tona, por është gjithashtu një element thelbësor i shoqërisë kroate. Madje, jam e lumtur që shoqërohem në këtë vizitë nga deputetja kroate, znj. Lekaj-Prljaskaj, e cila përfaqëson komunitetin shqiptar. Faleminderit që jeni këtu më ne dhe jam e bindur se ajo do t’i përcjellë komunitetit shqiptar në Kroacisë rezultatet e bashkëbisedimit tonë.
Gjithashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe komunitetin e Arbanasve të Zarës, të cilët kanë qenë aty që në shekullin e 18-të.
Unë besoj se ka ende potencial të pashfrytëzuar për bashkëpunimin e mëtejshëm midis Kroacisë dhe Shqipërisë si edhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në fusha të ndryshme. Veçanërisht unë do të theksoj përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, ashtu si edhe lidhjeve infrastrukturore dhe ato të transportit.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, unë besoj shumë se mund të përmirësohet edhe pse shkëmbimet tregtare në vitin 2017 shënuan një rritje prej 20 %, ndonëse janë ende shifra modeste, ashtu si edhe investimet mes dy vendeve.
Fushat ku mund të ketë edhe një bashkëpunim edhe më të gjerë janë ato energjetike, ndërtimi i hidrocentraleve, termocentraleve dhe energjisë së rinovueshme, rikonstruksioni i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, turizmit, bujqësisë, etj.
Duke njohur rolin dhe influencën që ka Shqipëria në Evropën Juglindore, e mirëprita propozimin e palës shqiptare për të pasur marrëdhënie edhe më të ngushta strategjike midis dy vendeve tona dhe shpresoj që procesi i negociatave të përmbyllet sa më shpejt. Dialogu politik mes dy vendeve tona është shumë dinamik dhe ne jemi të interesuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë.
Gjithsesi, kemi edhe një çështje të rëndësishme, që është ndotja e detit Adriatik, me brigjet e Kroacisë që përballen gjatë muajve të dimrit me mbetjet që vijnë nga vendet fqinje, përfshirë edhe Shqipërinë. Mjedisi është një nga çështjet më komplekse në procesin e anëtarësimit në BE dhe Kroacia është gati të ndajë eksperiencën e saj në këtë drejtim. Shpreh kënaqësinë për marrëveshjen me UNDP-në për menaxhimin e ujërave detare dhe mbrojtjen nga ndotja. Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik në vendin tonë.
Kroacia dhe Shqipëria, si dy vende aleate në NATO, duhet të kenë bashkëpunim të ngushtë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Shqipëria gëzon një mbështetje politike dhe teknike nga Kroacia në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Dua t’iu përgëzoj për vendimin e Këshillit, që njeh progresin e bërë nga Shqipëria dhe që i hap rrugën çeljes së negociatave në qershor të 2019-s.
Në fund, zoti President dua t’ju ftoj për një vizitë shtetërore në Kroaci në rastin më të parë. Takimi ynë i fundit u zhvillua në janar të këtij viti gjatë një vizite pune që ju po zhvillonit në Zagreb. Unë shpresoj që ne do të vazhdojmë dialogun përmes këtyre vizitave dhe të rrisim bashkëpunimin.
Pyetje nga gazetarët
Pyetje: Në pyetje për Presidenten Grabar-Kitarović. Padyshim, që Kroacia e ka mbështetur dhe do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE, por a mendoni që konflikti që ka Kroacia me Slloveninë ka ndikuar në qëndrimin e BE-së për vendet e tjera, që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së për të zgjidhur të gjitha konfliktet e mbartura, pasi edhe Komisioneri Hahn dhe Presidenti Juncker e kanë cilësuar disa here këtë fakt, se nuk do të pranojnë vende të cilat kanë konflikte me fqinjët e tyre?
Dhe për Presidentin Meta, duke qenë e njëjta temë me kufirin. Prej muajsh po vijojnë shkëmbimet midis jush dhe Ministrisë së Jashtme. A janë zbatuar deri më tani të gjitha pikat që i keni kërkuar Ministrisë së Jashtme dhe si po ecin negociatat lidhur me Marrëveshjen e Detit me Greqinë?
Presidentja Grabar-Kitarović: Është një çështje dypalëshe midis Kroacisë dhe Sllovenisë dhe unë gjithmonë nënvizoj faktin se Kroacia dhe Sllovenia janë dy vende mike. Ne do të presim më shumë se 1 milionë pushues sllovenë në bregdetin kroat këtë verë dhe unë besoj se kjo çështje e hapur nuk duhet të dominojë marrëdhëniet dypalëshe. Ne jemi gati ta zgjidhim sa më shpejt që të jetë e mundur këtë çështje.
Siç mund ta dini, ne nuk e kemi pranuar rezultatin e arbitrazhit sepse Kroacia doli nga procesi i arbitrazhit, pasi për ne u kompromentua dhe nuk mund të vazhdonim më në atë proces. Gjithsesi, ne jemi gati-gati të vazhdojmë bisedimet me Slloveninë për zgjidhjen e përcaktimit të kufijve dhe shpresoj që bisedimet të nisin sapo të ketë një qeveri të re në Slloveni.
Me strategjinë e re të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo të Evropës Juglindore, ju e dini se zgjidhja e çështjeve dypalëshe është përfshirë si një kriter për pranimin në Bashkimin Evropian. Kësisoj, duhet të ketë një rezultat, por unë mbështes një anëtarësim në BE të bazuar mbi merita, që çdo vend duhet të vazhdojë procesin me ritmin e duhur dhe me rezultate në përmbushjen e kritereve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve. Sigurisht, do të ishte e pandershme që një vend tjetër të bllokojë rrugën e një vendi tjetër. Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë çështje të hapura, por ne kemi çështje të hapura me vende fqinje dhe unë shpresoj që do t’i zgjidhim ato në të ardhmen. Ne do tregojmë përgjegjshmëri se jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa ndërhyrjen e palëve të treta dhe se kjo nuk do të shndërrohet në një çështje evropiane, që ato çështje do të mbeten vetëm në kuadrin bilateral dhe që ne të mos humbasim kohë duke pritur që ato të zgjidhen vetë, por të nisim nga puna për zgjidhjen e tyre, sepse ky është një proces që kërkon kohën e vet. Disa prej këtyre çështjeve mund të jenë sensitive, kërkojnë kompromise kështu që sa më shpejt të nisim aq më mirë është. Dhe gjithmonë duhet biseduar me gjuhën e duhur diplomatike dhe nëse çështja bëhet pjesë e retorikës publike do të jetë më e vështirë gjetja e një zgjidhjeje. Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të zgjuar, duhet të zhvishemi nga emocionet dhe t’i mbajmë ato larg procesit, të jemi të arsyeshëm dhe t’i tregojmë Bashkimit Evropian se mund të bashkëpunojmë si fqinjë të mirë.
Presidenti Meta: Lidhur me këtë pyetje dëshiroj të theksoj edhe një herë angazhimin tim të plotë në respekt të Kushtetutës, por edhe të frymës konstruktive që është shumë e rëndësishme të zotërojë në marrëdhënie me të gjithë fqinjët, pa dyshim edhe me Greqinë si fqinj tepër i veçantë dhe i rëndësishëm. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë që ky është një proces i cili duhet të bazohet në barazinë e palëve në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe së dyti, edhe në respekt të Kushtetutës dhe legjislacionit përkatës të do vendi.
Nga ana ime si President, dua t’ju siguroj që do të bëj gjithçka për të përmbushur detyrimet e mia në mënyrën më konstruktive, por gjithmonë në respekt të Kushtetutës së vendit dhe të transparencës dhe bashkëpunimit si me qeverinë ashtu edhe me Kuvendin e Shqipërisë që kanë përgjegjësitë e tyre për këtë proces.
Pyetje: Zoti Meta, në vijimësi dhe të pyetjes së kolegut, një pyetje për ju – Tashmë kemi një Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë pa anëtar, kjo për shkak edhe të vettingut, ndoshta ishte e paparashikuar. Keni menduar ju si Kreu i Shtetit se si do të zgjidhet?
Pyetja për zonjën Grabar-Kitarović, çfarë do të thotë për ju në Ballkan marrëdhëniet Shqipëri-Kroaci?
Presidenti Meta: Përsa i takon disa çështjeve që kanë të bëjnë me zbatimin e reformës në drejtësi e cila është një reformë shumë e thellë, shumë madhore dhe shumë komplekse, duke shprehur mbështetjen time për ecurinë e kësaj reforme, gjithashtu dua t’ju siguroj të gjithëve për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore që ka Presidenti i Republikës për çështjet e drejtësisë në mënyrën më transparente. Sikurse kam bërë edhe më parë, dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës për të tejkaluar çdo moment të vështirë apo të paparashikuar, i cili mund të vërë në vështirësi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, krijimin e institucioneve të reja aq të domosdoshme, në mënyrë që ato të marrin përgjegjësitë në një kohë sa më të shpejtë dhe të kenë besueshmëri dhe mbështetje maksimale.
Presidentja Grabar-Kitarović: Unë preferoj të përdor termin vendet e Evropës Juglindore, sepse kur thua Ballkan, edhe pse ka një konotacion pozitiv për njerëzit që jetojnë këtu, për të tjerët nënkupton edhe një vend që ka gjeneruar konflikte, paqëndrueshmëri, dhe druaj se shkakton një barrierë psikologjike për vendet anëtare të BE-së dhe qytetarët e tyre, kur bëhet fjalë për të përfshirë vendet e Ballkanit në union dhe kompletimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Ne mbështesim anëtarësimin e çdo vendi në rajon në BE bazuar në merita dhe realizimin e reformave, duke plotësuar kriteret për pranimin në union.
Këdo që të pyesni dikë në BE, do t’u thotë se Kroacia së bashku me disa vende të tjera ka qenë një nga mbështetësit më të flakët të zgjerimit të BE-së, që të vazhdojmë ta mbajmë këtë çështje në axhendë në çdo takim të larta të BE-së. Më vjen mirë që Presidenca Bullgare dhe më pas ajo Austriake e kanë mbajtur në konsideratë çështjen e zgjerimit dhe ne do të vazhdojmë me një samit gjatë Presidencës tonë të këshillit në 6-mujorin e parë të vitit 2020. Ne do ta mbajmë të gjallë procesin dhe tani është radha e vendeve kandidate që të ecin përpara me reformat dhe plotësimin e kritereve. Duhet të kini parasysh, se arritjet nuk i bëni për Bashkimin Evropian, por për të mirën e qytetarëve tuaj dhe vendit tuaj.
Pyetje: Pyetje për zotin Meta. Lidhur me ndotjen e detit Adriatik, teksa pasojat ndihen edhe në bregdetin e Kroacisë, çfarë planifikon Shqipëria të bëjë ekzaktësisht në mënyrë që të zgjidhë këtë çështje?
Ndërsa, pyetja për zonjën Grabar-Kitarović, çfarë mund të bëjë Kroacia për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi?
Presidentja Grabar-Kitarović: Siç mund ta dini, ne po organizojmë një takim trepalësh mes ministrave të linjës për të diskutuar çështjet mjedisore dhe ekologjike mes Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë me këtë iniciativë dhe ne do të vazhdojmë të ndajmë eksperiencën tonë dhe takimet mes ministrave duke punuar në mënyrë që të kemi projekte specifike për të menaxhuar problemet.
Sa i përket marrëveshjes me UNDP-në për menaxhimin e ujërave detare dhe të bregdetit, Kroacia është donatorja kryesore financiare dhe do të ketë përgjegjësi në implementimin e këtij projekti. Në këtë mënyrë ne duam të ndihmojmë Shqipërinë që të forcojë kapacitetet e veta për të zgjidhur problemet mjedisore.
Më lejoni t’ju sjell në vëmendje faktin se para se Kroacia të niste negociatat, çështja e mbrojtjes mjedisore ishte një nga më të rëndësishmet sipas Bashkimit Evropian, ku ne duhet të investonim përpjekje të konsiderueshme dhe të vazhdueshme për shmangien e ndotjes së detit dhe menaxhimit të mbetjeve. Kështu që Shqipëria përballet me probleme të ngjashme dhe ne jemi gati të ndajmë eksperiencën tonë se si jemi përballur me këto probleme dhe si ti menaxhojmë fondet në këtë drejtim.
Presidenti Meta: Unë dëshiroj të nënvizoj edhe një herë rëndësinë e madhe që i kemi kushtuar edhe gjatë kësaj bisede, por edhe më parë, në fillim të këij viti në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve sidomos në det apo në zonat bregdetare midis Shqipërisë dhe Kroacisë nisur dhe nga përvoja e Kroacisë, nisur edhe nga kërkesat dhe standardet që ne duhet të plotësojmë ne drejtim të mjedisit dhe përsa i takon anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sikurse dhe Presidentja e përmendi, projekti i përbashkët që Kroacia mbështet në bashkëpunim edhe me PNUD-in në vendin tonë është vetëm një fillim kuptimplotë të një bashkëpunimi shumë të gjerë, pasi vendi ynë si një vend i cili ka një potencial shumë të madh përsa i takon zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë dhe shumë fushave të tjera sensitive përsa i përket standardeve të mjedisit, ka një punë shumë të madhe në këtë drejtim dhe ne mbështetemi fort edhe në mbështetjen dhe ekspertizën e Kroacisë. Jam shumë i lumtur që dhe Presidentja çështjen e mjedisit e ka mjaft për zemër dhe kjo do të jetë pjesë jo vetëm e një bashkëpunimi të ngushtë bilateral, por dhe trilateral me Malin e Zi. Në këtë drejtim, jam i bindur që do të bëjmë shumë më tepër në të ardhmen sepse ne kemi ende shumë sfida të mëdha.
Së fundi, një përgjigje më të thjeshtë për pyetjen e gazetares se cdo të thonë marrëdhëniet e midis Kroacisë dhe Shqipërisë, do të doja t’i përgjigjesha – Duke ftuar Presidenten kroate për të bërë një foto, por në këtë vit të Skënderbeut edhe me heroin tonë kombëtar dhe ‘Qytetarin e Nderit të Dubrovnikut’, sikurse ajo e theksoi, Gjergj Kastriot Skënderbeun.