Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë. Ish-presidenti ka qenë i pranishëm sot në një ceremoni të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë me rastin e kësaj dite të shënuar.
Meta shprehet se 17 shkurti është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Nga ana tjetër ai shpreh krenarinë që e ka mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që në ditët e saj të para kundër agresionit të Millosheviçit.
Meta ndihet i lumtur ta shoh Kosovën sot të jtë kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale.
Urimi i kreut të PL-së, Ilir Meta:
GËZUAR DITËN E PAVARËSISË KOSOVË E DASHUR!
Kënaqësi të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës të Pavarësisë.
17 Shkurti është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri.
Shteti më i ri në Ballkan në një kohë rekord është kthyer në një shembull për fqinjët për demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira, për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe për politikat përfshirëse sociale.
I lumtur të isha pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve ’90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit.
Krenar të isha një mbështetës i palëkundur i UÇK, që në orët e para të saj.
Të paharruara do të jenë emocionet e forta që përjetova si rrallëkush tjetër nga eksodi biblik, drama e madhe humanitare në Kukës dhe mbi të gjitha nga mikpritja e rrallë e kukësianëve që kurrë nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Ndihem krenar që në çdo detyrë shtetërore që kam patur, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e kam patur të parën.
I lumtur t’i kundërvihesha projekteve tinzare për ndarjen dhe zhbërjen e Kosovës me duart e vetë shqipfolësve.
I lumtur të isha pjesë aktive e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për fitoren në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësise të Pavarësisë të Kosovës në vitin 2010.
Kënaqësi e veçantë të shohim Kosovën të jetë sot kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale!