Kreu i Kuvendit Ilir Meta vijon takimet në Finlandë me figura të njohura të politikës atje. Sot ai është takuar me kryetaren Parlamentit finlandez, Maria Lohela.
Meta i cili shoqërohej edhe nga kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme Arta Dade, diskutoi me Lohelën mbi bashkëpunimin e dy palëve, dhe shprehën vullnetin për ta ngritur më lart nivelin e bashkëpunimit veçanërisht në fushat e arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve ekonomike.
“Është kënaqësi të kemi z. Meta për vizitë në Finlandë, e di që nuk është vizita e tij e parë në Helsinki dhe kjo do të thotë se ai ka krijuar marrëdhënie të mira me Finlandën.
Unë jam e lumtur që t’i çoj përpara këto marrëdhënie, shpresoj që veçanërisht deputetët e rinj në Finlandë të nisin kontaktet me kolegët e tyre shqiptarë dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi që të mund të zgjasin për një kohë të gjatë. Pavarësisht distancës mes dy vendeve tona kemi shumë ngjashmëri.
Jemi dy vende të vogla, por kemi besim në të ardhmen, duam të punojmë shumë në mënyrë që shoqëritë tona të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Kështu që shoh shumë hapësira për bashkëpunim në fushën e biznesit, politikës apo turizmit. Jam e bindur se Shqipëria është perla e re e Mesdheut.”, tha Lohela.
Gjithashtu edhe Meta shprehu kënaqësinë për pritjen e tij nga homologja finlandeze, dhe shtoi se do t’i kushtonte vëmendje shkëmbimeve midis parlamentarëve të rinj, në mënyrë që të përfitojmë nga përvoja finlandeze.
“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme për t’u takuar me Kryetaren e Parlamentit të Finlandës dhe për të diskutuar për të çuar në një nivel të ri dhe shumë më dinamik marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona, por edhe dy vendeve tona.
Ne besojmë shumë në këtë bashkëpunim të shkëlqyer bilateral me Finlandën, sidomos në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të sistemit tonë të edukimit në vend dhe për këtë qëllim kemi vendosur, që në mënyrë të veçantë t’i kushtojmë vëmendje shkëmbimeve midis parlamentarëve të rinj për të përfituar sa më shumë nga eksperienca dhe përvoja e Finlandës në këtë drejtim.
Ne kemi dhe grupet e miqësisë në parlamentet e dy vendeve tona të cilat besojë do të jenë shumë më aktive në të ardhmen dhe kemi rënë dakord bashkë me kryetaren e parlamentit që në mënyrë reciproke të promovojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona si në Tiranë ashtu edhe këtu në Helsinki.”, tha Meta në deklaratën e përbashkët për shtyp. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post